








Kohët e fundit e kam pasur privilegjin të eci nëpër rrugët e këtij planifikimi urbanistik të përlyer, të ndotur, “katastrofë” të njohur edhe si Prishtinë. E kam gjetur veten duke u përpjekur t’i jap kuptim vendimeve ku të ndërtohet, çfarë të ndërtohet, dhe si të ndërtohet arkitektura.
Pas luftës Prishtina ka pësuar ndryshime masive, dhe popullsia është dyfishuar në vetëm pesë vitet e para pas vitit 1999. Qyteti dikur i organizuar dhe hapësinor (ashtu kam dëgjuar) u bë një grumbull i zhvillimeve të reja pa asnjë rregull apo rregullore që do e parandalonte rritjen e shfrenuar. Çdo njeri është arkitekt në këtë vend, me njerëz që gjuajnë të holla në struktura të thjeshta e të shëmtuara që shtrihen të zbrazëta dhe e pllakosin përvojën e këmbësorëve dhe do e bëjnë këtë për shumë vite me radhë. Ju lutem u a lëni projektimin dhe ndërtimin e ndërtesave profesionistëve. Ma merr mendja që në Kosovë kjo do të thotë dikush me të holla të mjaftueshme për të blerë një diplomë ose dikush që ka një të afërm apo mik në biznes. Koncepti i “praktikës profesionale” si duket ende nuk është kuptuar, dhe kjo pritet nga “populli më i vjetër” në Evropë me ekspozimin më të vogël ndaj pjesës tjetër të botës.
Dua të shfrytëzoj këtë mundësi për të shkëmbyer mendimin e një të huaji me popullin tim të sapo adoptuar. Dua të ju jap një paraqitje të shkurtër të asaj që mua më duket frymëzuese dhe gjithashtu asaj që më duket e neveritshme në lidhje me mjedisin e ndërtuar të Prishtinës.
1. Dizajni interior: MIRË
Arkitektët në Kosovë e kuptojnë dhe e ekzekutojnë arkitekturën e brendshme shumë mirë. Koha e kaluar në bare dhe kafiqa e dominon kohën e kaluar jashtë duke e bërë përvojën e brendshme me më shumë vlerë. Hamam Bar është hapësira më e mirë e brendshme që e kam parë në qytetin e Prishtinës. Kam pasur mjaft fat që fundjavën e kaluar të zbres poshtë shkallëve të këtij bari dhe të jem dëshmitar i dizajnit më të mirë interior në Kosovë. Muret e papërfunduara të betonit, xhepat e ajrit që e theksojnë teksturën në kontrast me mobiljet e lëmuara të lëkurës dhe pllakat e tavanit të mbuluara me baltë është një kombinim i bukur që nuk do të harrohet. Bimë të gjelbra për ngjitje shtrihen mbi muret e betonit dhe ca muzikë shumë e mirë jazz e krijon një vend që është mjaft i paharrueshëm
2. Xhami reflektues me ngjyra të tmerrshme: KEQ
Një nga aspektet më të zakonshme arkitekturore të këtij qytetit janë këto sisteme të mureve boshe e të shëmtuara që funksionojnë vetëm në kuptimin që “ndonjëherë” reflektojnë diçka që ka kuptim. Këto rrafshe të qelqit janë të pa vend, janë përpjekje të kota në bërjen e një arkitekture të dallueshme. Në fakt ato krijojnë një kompleksitet vizual që e komplikon dhe eliminon të gjithë identitetin e vendit që janë duke u përpjekur t’a përcaktojnë.
3. Përzierja e të vjetrës me të renë: MIRË
Disa njerëz janë me të vërtetë duke bërë një punë të mrekullueshme dhe më duhet t’i përgëzoj ata që janë modest dhe dizajnojnë ri-përdorim të arkitekturës. Përzierja e strukturave historike me elemente moderne është një alternativë shumë interesante dhe praktike që duhet të kuptohet më mirë. Është një ide që quhet projektim i qëndrueshëm. Nuk duhesh krejtësisht të shkatërrosh një ndërtesë për të arritur tek një arkitekturë e dëshirueshme. Materialet dhe ndërtesat duhet të riciklohen dhe ripërdoren me programe të reja që sjellin funksione të reja në hapësira të papërdorura. Të krijosh arkitekturë që ka lidhje me histori përmes materialeve dhe programit është një gjë, por të përpjekesh të replikosh ideale arkitektonike nga e kaluara, është e rrezikshme.
4. Arkitektura komuniste e ndërtuar sot: KEQ
Arkitektura e fortë që paraqet fuqinë dhe pushtetin është e vjetëruar. Kjo është një testament për historinë e arkitekturës moderne në Ballkan, por shkalla dhe efekti mbi cilësitë e përjetimit është i dëmshëm për shoqërinë. Arena e Prishtinës / Qendra tregtare në Prishtinë pas shenjës “New Born” është shembull i asaj që dua të them. Përfaqëson një arkitekturë brutale që është stil dhe duhet të respektohet por nuk duhet të përsëritet. Ndërtesat moderne që ndërtohen në Prishtinë, si ndërtesa e re e Ministrisë së Arsimit, janë me të vërtetë zhgënjyese për shkak se tregojnë se njerëzit këtu janë të mbërthyer në të kaluarën. Ok, ndoshta jo të gjithë njerëzit, vetëm ata që janë duke dizajnuar ndërtesat e reja qeveritare.
Arkitektë! Ju lutem ecni përpara dhe mendoni për të ardhmen tuaj e cila është e ndikuar direkt nga mjedisi i ndërtuar që jeni duke e krijuar. Është koha për ide të reja; shikoni Bjark Ingles për të parë çfarë dua të them.
Artikulli origjinal është i shkruar në gjuhën angleze.
Ilustrimi: James W. Stodgel
Vështrimet, mendimet dhe komentet e publikuara në këtë BLOG nuk janë domosdoshmërisht ato të personelit të redaksisë në Kosovë 2.0. Gjithashtu, faqja rezervon të drejtën t'i fshijë, të refuzojë, ose të heq çdo pikëpamje,mendim apo koment të postuar në shkrime. Të gjitha komentet që nxisin dhe inkurajojnë gjuha e urrejtjes ose diskriminimit do të jenë të moderuara.