Arts

Autori i ditës

Cristina Marí

E kanë thirrur Revolucioni spanjoll

Më 15 maj 2011 diçka ka ndodhur,…

Shiko të gjithë autorët

Arkivi
2013

Maj (51) Prill (52) Mars (56) Shkurt (55) Janar (62) Më të vjetra

Jam produkt “i pështjelltë” i muzikës! (Pjesa e dytë)

Nga: Fatmir Abdyli

Lexoni pjesën e parë e udhëtimit tim nëpër muzikë.

Fillova të dëgjoj këngët e Coldplay. Fillimisht morra dhuratë albumin e tyre të dytë, A Rush of Blood to the Head. Më pas, gjithçka rrodhi nga shpirti. Brenda muajit i dija gjitha tekstet e këngëve nga dy albumet e publikuara, deri atëherë, nga rok-alternativ bendi anglez. Dhe, po. Këta shënuan hyrjen në një botë tjetër përbrenda vetvetes.

Chris Martin me tekstet hyjnore për dashurinë dhe të bukurën, ishte përsosja e asaj që më duhej në atë kohë. Isha 15 vjeç dhe e gjeja të vështirë përshtatjen në rrethin e ri shkollor. Mu deshtë viti i parë për tu adaptuar në ambientin e ri, me të cilin do qëndroja edhe përgjatë tri viteve të ardhshme.

Çka ndaja unë në atë kohë me këngët e Coldplay? Pse nuk ishte Metallica apo ndonjë tjetër bend që të depërtonte thellë tek unë? Pse nuk ishte Tupac të më bënte të revoltuar dhe kundër ambientit të ri, të papërshtatshëm?

Jo, Tupac ishte e kaluara që më shfaqej kohë pas kohe. Komplet e kundërta e tij tani kishte depërtuar tek unë. Gjeta melodinë dhe “muzikën e qetë” me çka do kaloja vitet e vështira të shkollës së mesme për ta përfunduar atë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Mundja të dëgjoja deri në njëzet herë këngën In My Place brenda ditës, dhe nuk më bëhej bajat. Mbaj mend si vrapoja nëpër klasë, në stilin e Chris Martin, me xhaketë të shkurtë e të zezë, dhe dorë të ngjyrosur (shih. Make Trade Fair) dhe me shirit disa ngjyrësh të vendosur në gishta. Ky ishte bendi që më bënte të ndihesha ndryshe, mirë dhe qetë, në vitet më të vështira për mua deri atëherë.

Krahas Coldplay, nisën të më shfaqeshin edhe grupe tjera që më herët nuk i kisha dëgjuar. Shoku i klasës përgjatë dy-viteve të fundit në shkollë të mesme, i kthyer në atdhe nga një vend i huaj, më njoftoi me shumë bende të cilat edhe sot i dëgjoj. Falë tij mësova të luaj kitarë.

Gjatë katër viteve në atë shkollë, njoha një numër të madh të grupeve. Secili i veçantë në vete dhe në ndikimin tek unë. Nëse marr t’i shkruaj një nga një, do merrte kohë. Janë disa që duhet dalluar për kah vendi që zinin në botën time. Krahas Coldplay, aty ishin Oasis, REM, Radiohead, Richard Ashcroft, Ian Brown dhe U2.

Diçka e veçantë rreth grupit të drejtuar nga Bono Vox! Në fëmijëri shihja në televizion videot e shumta të incizuara nga vëllai im i madh. Ato ishin incizime të koncerteve dhe performancave nga U2. Ata ishin të preferuarit e tij. Madje, tekstet e këngëve janë të gjitha të shënuara në fletore. Në atë kohë, këtë bend e dëgjoja për kënaqësi, derisa ndër vite e dëgjoj dhe mësoj shumë. Tekstet e tij janë histori në vete.

Kështu, isha futur thellë në tunelin e gjatë të muzikës rok-alternativ. Ato nuk ishin vitet më të mira të jetës sime. Ndoshta më të vështirat. Përmes muzikës e shprehja të mirën - shfryhesha. Në vete mbaja dilemat, pakënaqësinë dhe gjithë ato që i sjell periudha kur duhet të vendosësh. Çka tash, pas përfundimit të shkollës. (PART I)

Thonë që gjithmonë është një dritë në fund të tunelit. Po, pajtohem. Por, bëhet e vështirë kur tuneli është i gjatë. 

Nëse ndonjëherë do thosha se kam arritur të dal nga tuneli, kjo do ishte zgjedhja ime për të studiuar në universitet. Ndoshta jo aq ndriçuese dhe jetëgjatë mirëpo ishte Dritë, pas atyre viteve në shkollë të mesme. Këtë herë, zgjodha kahen e duhur për t’iu qasur mësimit. Zgjodha gazetarinë.

Tani ishte koha e fakultetit. Gjithçka e panjohur. Ndryshe nga shkollimi paraprak, këtu e gjeta më lehtë përshtatjen. Nëntë muajt e parë ishin të vështirë. Disa herë mendoja të ndërpres studimet. Megjithatë, jo. Diçka e re, e paprovuar më herët, më përfshiu gjatë atyre viteve për t’u përballur me gjitha vështirësitë që sillnin studimet. Dhe, gjithmonë afër më është gjetur muzika.

Vazhdoja t’i dëgjoja artistët që dëgjoja në shkollë të mesme. Atyre iu bashkëngjit edhe një listë me emra tjerë që zbuloja viti pas viti, por ata rrinin në themele.

Më duhet të them se dashuria për këngët e Coldplay me kohë u dobësua, dhe tani janë një nga shumë bende që dëgjoj kohë pas kohe. Por, kur i kthehem, qëndroj për një kohë të gjatë me këngën e tyre, aq sa të kujtoj edhe përjetimin më të vogël nga shkolla e mesme.

Richard Ashcroft definitivisht ishte një nga muzikantët që më përcolli për një kohë të gjatë. Ai u bë pasues i asaj që Chris Martin më herët kishte transmetuar tek unë. Për ta ilustruar më mirë se si “mbyllesha” në muzikën e këtyre këngëtarëve, shoku im i ngushtë më pyeste se “Në çka je gjatë këtij muaji?”. I përgjigjesha dhe e pyesja anasjelltas. Ndodhte që dy-tre muaj të dëgjoja vetëm një bend duke u zhytur thellë në të.

Gjatë viteve në fakultet, eksperimentova mjaft. Kam shijuar muzikën psy-trance, tech-house dhe gjithçka të ngjashme që i fus nën emrin “elektronikë”. Ato i gjeja nëpër lokalet dhe klubet e natës. Kjo ishte muzikë për qejf, që të bënë me u ndie mirë por nuk të jep gjë më shumë. Ende e dëgjoj kohë pas kohe.

Derisa vitet e studimeve kalonin, tekstet e këngëve të Ashcroft dhe Oasis më ngjanin me përditshmërinë time. Tek ato gjeja veten dhe forcën për përkushtim ndaj mësimit. Shpesh, mjaftonte një këngë në dhomën time dhe më ndriçohej ideja për të shkruar.

E gjithë muzika që sillej rreth meje ishte e huaj. Asnjëherë nuk gjeta veten në ndonjë nga këngëtarët e paktë shqiptarë, dhe, sinqerisht, mendoj se asnjëherë nuk do ta gjej.

Nëse ndonjëherë nuk do të arrij të shprehem përmes muzikës, qoftë me bend apo solo, kjo do të mbetet “pikë e zezë” në jetën time.

Derisa i afrohesha njëzetvjetorit të lindjes, kisha një listë të gjatë të bendeve dhe artistëve muzikën e të cilëve e doja. Por, njëri zë vend statik. Gjendet në kreun e saj edhe pse jo shumë kohë më parë arrita ta “zbuloj”.

Vërtetë, nuk di si ta përshkruaj rëndësinë e Ian Brown, ish vokalistit të Stone Roses. Ai është thjeshtë Mbret - i xhunglës dhe muzikës - është motor i teksteve hyjnore dhe skajshmërisht i veçantë nga të tjerët.

Ian është njeriu që prodhon tekst kuptimplotë me fjalët që burojnë nga vetëm katër germa. Ai është gjeniu që përshkruan dashurinë dhe urrejtjen, butësinë dhe krenarinë, përmes pak rreshtave. Me meritë e mban kokën lartë!

Dhe, ja ku përfundova. Gjithçka nisi me talentin e Tupac dhe bashkëkohësve të tij. Duhet falënderuar atyre për pjesën e urrejtjes dhe zemërimit që ende mbaj brenda vetes.

Butësia dhe mirësia janë meritë e Chris Martin me shokët e tij. Ai zuri vend të rëndësishëm në formimin tim dhe do të qëndroj përgjithmonë aty. Njëkohësisht, qetësinë e gjej tek post-rok muzika, të cilën kam filluar ta konsumoj viteve të fundit.

Dhe tani, derisa jam para dilemave për rrjedhën e së ardhmes, brenda meje zënë vend të gjithë. Mbreti është në krye. Ai duket mishërues ideal i të gjithave. Gjithmonë do të jetoj nën mbretërinë e tij.

 

Fundi i pjesës së dytë.

Tregimi origjinal është i shkruar në gjuhën shqipe.

Foto: Karen Ilagan

Write a Comment

art