Me siguri e njeh Edonisin*. Ai është figurë e njohur pranë katedrales së re ose pranë Universitetit të Prishtinës. I ka sytë e mëdhenj dhe një buzëqeshje të madhe dhe është rreth gjashtë vjeçar; moshë kjo kur fëmijët në Kosovë fillojnë të shkojnë në shkollë, moshë kur ndoshta e mban në mend djalin ose nipin tënd ose djalin e shokut tek kalonte orë të tëra duke ndërtuar kulla me lego. Edonisi nuk e bën asnjërën orej këtyre: ai i kalon ditët i ulur në një copë kartoni ose duke ecur nëpër trotuaret e kësaj pjese të Prishtinës me dorën e shtrirë, duke lypur para.
Javën e kaluar, Edonisi ishte në Prishtinë, si zakonisht për të lypur para. Ai e kaloi rrugën tek semafori kryesor dhe e shkeli një veturë.
Për fat të mirë, shpëtoi. Këmba e tij tani është në gips (me të cilin ai mburet majft shumë) dhe ka një futë të madhe mbi njërin prej syve, në vendin ku e ka goditur kokën kur ka rënë në asfalt.
Jam shumë e trishtuar dhe e zemëruar. Jam e zemëruar me njerëzit të cilët duhet të kujdesen për Edonisin – të cilët e dërgojnë atë dhe motrën e tij më të vjetër në Prishtinë, dhe i mbledhin (dhe shpenzojnë) paratë që njerëzit ia japin. Për shkak të tyre Edonisi e ka humbur fëmijërinë e tij në kërkim të lëmoshës, dhe për shkak të tyre ishte në rrugë kur e shkeli vetura. Kur fola me ta, ata fajësuan Edonisin që nuk ka qenë i mirë, që nuk ka qenë më i kujdesshëm kur e kaloi rrugën. Të kujtojmë se Edonisi i ka gjashtë vjet.
Ajo që kujdestarët e Edonisit janë duke e bërë është e ndaluar me kodin penal të Kosovës, ku neni 211 rreth ‘keqtrajtimit apo braktisjes së fëmijës’ cakton denimet që duhen ndërrmarë ndaj ‘Prindit, prindit adoptues, kujdestarit apo personit tjetër që ushtron autoritet prindor mbi fëmijën, i cili e detyron fëmijën e tillë ... të lypë për para ose për dobi tjetër materiale ose e detyron fëmijën e tillë të bëjë veprime që e dëmtojnë zhvillimin e fëmijës’. Zemërimi im gjithashtu është i drejtuar edhe tek ata që nuk janë duke e zbatuar këtë ligj. Kur fola me një polic në lidhje me ligjin, ai më tha se është vështirë të zbatohet, më tha që kërkon bashkëpunim midis policisë dhe shërbimeve sociale dhe provë që lypja e fëmijës është e detyruar nga prindërit e tij. Sigurisht që nuk është lehtë të sigurohen këto gjëra, por besoj se janë të mundshme, nëse disa policë dhe punonjës socialë ndajnë pak kohë për të menduar për alternativat për Edonisin dhe fytyrën e tij të vrarë, këmbën e tij të lënduar.
Ka edhe të tjerë me të cilët jam e zemëruar. Njerëz ndoshta si ti, qytetarë të rëndomtë që kujdesen në Prishtinë – njerëz të cilët i japin Edonisit para, dhe në këtë mënyrë i japin inkurajim prindërve të tij. Nëse kërkimi i lëmoshës i Edonisit nuk do të sjellte para, atëherë prindërit e Edonisit do ta lejonin të ri në shtëpi, dhe ai do të ishte i sigurt nga ato veturat e rrezikshme. E kuptoj përse njerëzit i japin Edonisit para, buzëqeshja e tij i’a vlenë të paktën donacionin e zakonshëm prej 50 cent; të zbukuron ditën dhe ti ndjehesh që ke bërë diçka bujare përmes donacionit tënd. Por në fakt ajo që ke bërë është që ke bashkëpunuar me prindërit e Edonisit në mbajtjen e tij në rrugë, e ke përfshirë veten në krimin e tyre. Të lutem, të lutem mos i jep para fëmijëve si Edonisi. Nëse dëshiron të ndihmosh, u jep të holla ndonjë organizate bamirëse që punon drejtpërdrejt me fëmijët si ai, për të ofruar alternativa për fëmijërinë e tij.
Edonisi jeton në Fushë Kosovë, në komunitetin romë, ashkali dhe egjiptian, ku The Ideas Partnership, OJQ-ja që e kam bashkëthemeluar, është duke punuar që 18 muaj. Ne jemi duke punuar për të mbështetur familjet që të regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollë, duke filluar me klasa shtesë dhe tani duke ofruar klasa akademike mbështetëse gjatë ditëve të javës, seanca të pasditës të ‘lojës së qetë’ dhe aktivitetete të së shtunës për më shumë se 120 fëmijë.
Po që se Edonisi do të vinte në seancat e pasditës ai do të mund të luante me lego si çdo 6-vjeçar tjetër, nëse do të vinte në klasa do të mund të mësonte si të shkruante emrin e tij. Mirëpo, kur sugjeroj që ai duhet të vijë, ai psherëtin dhe fytyra e tij plaket para kohës së vet. “Oh, por më duhet të shkoj në Prishtinë” thotë ai.
Ai ka ardhur herë pas here në qendrën tonë, dhe i ka mësuar shumicën e shkronjave në emrin e tij (edhe pse jo edhe renditjen e tyre të drejtë) dhe një herë ka ardhrur për aktivitetet tona të së shtunës, ku na mundi të gjithë ne lojën Uno. Por, prindërit e tij nuk do e regjistrojnë në shkollë (ata munden saktësisht të llogarisin se sa do u kushtojë kjo në të ardhura të humbura) dhe nga 1 shtatori, dallimi midis Edonisit dhe moshatarëve të tij do të fillojë të zmadhohet. Gjashtë vjeçarët tjerë do të jenë në banka të shkollës, kurse Edonisi do të vazhdojë të jetë i ulur në trotuar.
Nëse e sheh atje, jepja një buzëqeshje të madhe. Por të lutem mos i jep para.
*Emri është ndryshuar.
Artikulli origjinal është i shkruar në gjuhën angleze.
Foto: Barbara Probst
Vështrimet, mendimet dhe komentet e publikuara në këtë blog nuk janë domosdoshmërisht ato të personelit të redaksisë në Kosovë 2.0. Gjithashtu, faqja rezervon të drejtën t'i fshijë, të refuzojë, ose të heq çdo pikëpamje,mendim apo koment të postuar në shkrime. Të gjitha komentet që nxisin dhe inkurajojnë gjuha e urrejtjes ose diskriminimit do të jenë të moderuara.