Përderisa “priftëreshat” greke ndezën pishtarin olimpik këtë muaj, disa qindra kilometra në veri, atletët kosovar vazhduan trajnimet e tyre intensive. Përderisa flaka olimpike e bën udhëtimin e saj për në Londër për lojrat e vitit 2012, asnjë ekip nga Kosova nuk do të niset për atje. Javën e kaluar, Komiteti Ndërkombëtar Olimpik nuk e pranoi kërkesën që xhudistja nga Kosova, Majlinda Kelmendi, të garoj si sportiste e pavarur. Ish kampionija e botës pritet të garoj me flamurin e Shqipërisë, gjë që ajo ka bërë edhe më parë.
Por dyert mbeten të mbyllura për sportistët tjerë kosovarë që dëshirojnë të demonstrojnë talentin e tyre. Një flamur i shkarravitur olimpik, që i tregon pesë unazat si rrathë të bërë me tela me gjemba, është përhapur nëpër webfaqe të mediave sociale. Shumica e sportistëve kosovarë vazhdojnë të mbesin të izoluar – siç kanë qenë për dy dekadat e fundit – për shkak të rezistencës së Serbisë ndaj pavarësisë së Kosovës.
“LOGO e Lojrave Olimpike siç shihet nga geto perspektiva e Kosovës*” është mbishkrimi në foton që e ka postuar një kosovar i ri në Facebook. Ylli pas emrit të vendit i referohet fusnotës me referencat ligjore ndaj statusit politik të Kosovës, e cila i lejon Kosovës të marrë pjesë në disa organizata rajonale pa u njohur nga Serbia si shtet i pavarur. Megjithatë, fusnota nuk ka asnjë ndikim në sporte. Duke përfituar nga mosmarrëveshjet politike rreth Kosovës, zyrtarët serbë kanë zhvilluar një fushatë agresive për të mbajtur vendin e ri larg garave ndërkombëtare. Sipas Serbisë, t’i lejohet Kosovës të marrë pjesë në garat ndërkombëtare është akt politik. Por, Serbia ka përdorur kanalet e saj diplomatike kundër Kosovës, për të penguar pranimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Kur vendi i vogël Evropian shpalli pavarësinë e tij në vitin 2008, Serbia loboi me organizatat ndërkombëtare të sportit për ta bërë anëtarësimin e Kosovës të varur nga pranimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara.
Si një jo-anëtare e OKB-së, Kosova nuk merr pjesë në asnjë prej organizatave më të mëdha ndërkombëtare të sportit siç është Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, apo në federata të futbollit e basketbollit si FIFA, UEFA apo FIBA. Vetëm disa organizata, më pak të njohura, e kanë pranuar Kosovën, shpesh si vëzhguese apo me ndonjë status të veçantë.
Megjithatë, edhe që ka pasur shumë pak progres, kosovarët nuk kanë hequr dorë. Ata kanë kanë intensifikuar përpjekjet e tyre për të garuar ndërkombëtarisht dhe, më me rëndësi, kanë fituar miq që e shohin përjashtimin e Kosovës si një akt kundër lojës fer – parimit themelor të sportit të shekullit XXI. Ulrike Lunacek, raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, ka qenë mbështetëse e zëshme për një ekip olimpik kosovar. Ndërkohë, presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter ka qenë i susksesshëm në sigurimin që kjo federatë të lejoj lojëra ndërkombëtare miqësore me Kosovën. Vendimi i FIFA-s është një hap i vogël, por premtues, që me mbështetjen e duhur nga entuziastë të lojës fer, mund të mundësoj që kosovarët të përfitojnë nga ajo që ata e quajnë “ndërkombëtarizimi i sporteve (të tyre)”. Pjesëmarrja e plotë e Kosovës në garat ndërkombëtare është peng i mosmarrëveshjeve politike, por gjithashtu janë edhe sportet dhe fer loja. Kosova nuk duhet të mbahet larg, në të kundërtën, ky është kuptimi fjalë për fjalë i aparteidit.
Artikulli origjinal është i shkruar në gjuhën angleze.
Vështrimet, mendimet dhe komentet e publikuara në këtë BLOG nuk janë domosdoshmërisht ato të personelit të redaksisë në Kosovë 2.0. Gjithashtu, faqja rezervon të drejtën t'i fshijë, të refuzojë, ose të heq çdo pikëpamje,mendim apo koment të postuar në shkrime. Të gjitha komentet që nxisin dhe inkurajojnë gjuha e urrejtjes ose diskriminimit do të jenë të moderuara.