Prishtina. Ku sorrat janë pronare të pemëve, dhe qentë pronarë të rrugëve.
Ku nuk ke guxim të ofendosh një taksist duke e vënë rripin e sigurisë. Ku bureku me spinaq është më i kërkuari, por askush nuk e shet. Ku rrugët bëhen ngjyrë kafe sapo të bie borë. Ku njerëzit kanë pamje të pikëlluar përderisa thonë se nuk do të ketë ’asnjë problem’ në lidhje me propozimin tënd, pas të cilës gjë gjithsesi duhet ta harrosh atë plan. Ku e marta është si e premte dhe e premtja si e mërkure.
Prishtina, ku të gjithë e vërjenë që ke dalur jashtë vendit. Ku është më e sigurt të pish një paketë Marlboro në ditë se të shkosh në spital. Ku zhvillimi është i bllokuar nga nevoja për institucione që e mbështesin zhvillimin. Ku direktorët janë pronarë të klubeve dhe muzikantët pronarë të bareve. Ku qiradhënësi vendos nëse ti mund të mbash këpucë brenda në shtëpinë tënde apo jo.
Prishtina, ku vajzat që duken si prostituta i kanë gjasat më të mëdha të jenë të virgjëra. Ku të nevoitet ndihma e shokëve për të dalur në takim, dhe ku shokët janë dashnorët e tu më të mundshëm. Ku bën shaka për nënat e shokëve, edhe pse në të vërtetë nuk i njeh ato, ndërsa shakat për motrat e tyre janë rreptësisht të ndaluara, edhe pse ato i njeh shumë mirë. Ku martohesh në mënyrë që të kesh një jetë më të mirë seksuale. Ku djemtë ecin dorë për dore dhe të qenit homoseksual është katastrofë.
Prishtina, ku policia e dërgon veturën tënde të parkuar ilegalisht në Fushë Kosovë, në mënyrë që të shtyej të paguash gjobën sepse e dinë që ti kurrë nuk do e paguash atë vullnetarisht. Ku e ripërtrin abonimin tënd për internet çdo muaj me para në dorë, sepse kompania e di që ti kurrë nuk do të paguash faturat vullnetarisht. Ku lumi rrjedh nën rrugë, dhe shihet vetëm në fotot e vjetra bardhë e zi.
Prishtina, ku të jesh i famshëm është njëjtë si të kesh shumë shokë. Ku parku më i mirë është i rrethuar që të jetë i rezervuara për politikanë. Ku myslimanët i festojnë Krishtlindjet, dhe një nga ndërtesat më të larta të reja në qytet është një katedrale. Ku punon gjashtë ditë në javë në një kafiq, vetëm që të jesh në gjendje të paguash për kafe në ditën e shtatë. Prishtina, ku është edhe mallkim edhe bekim të jesh ndërkombëtar. Prishtina, ku shoqëria është çdo gjë.
Këtu jetoj, në një banesë me një ballkon. Në një dhomë me një qilim, kuzhinë dhe krevat. Këtu gatuaj darka me shokë të mirë, përderisa flasim për gjëra për të cilat kemi biseduar edhe javën e kaluar. Është qyteti ku jam i lumtur të bie në gjumë çdo natë, që të zgjohem tepër herët. Nga këndimi i hoxhave.
Artikulli origjinal është i shkruar në gjuhën angleze.
Foto: Enis Pakashtica
Vështrimet, mendimet dhe komentet e publikuara në këtë BLOG nuk janë domosdoshmërisht ato të personelit të redaksisë në Kosovë 2.0. Gjithashtu, faqja rezervon të drejtën t'i fshijë, të refuzojë, ose të heq çdo pikëpamje,mendim apo koment të postuar në shkrime. Të gjitha komentet që nxisin dhe inkurajojnë gjuha e urrejtjes ose diskriminimit do të jenë të moderuara.