Më lejoni t’ju tregoj për një fenomen të Facebook-it që është bërë hit kohëve të fundit në Kosovë. “The Pimpsons” është një parodi e politikës së Kosovës e treguar në gjuhën shqipe nëpërmjet karaktereve të “Simpsons”.
Ambasadori i SHBA-ve Christopher Dell është Comic Book Guy, kryeministri Hashim Thaçi është Rainier Wolfcastle, presidentja Atifete Jahjaga është Maude Flanders, dhe kështu me radhë. Filloi me një “episod” shumë qeshrak që përshkruante Comic Book Guy Dell duke i thënë Wolfcastle Thaçit & Co të zgjedhin një grua për presidente në mënyrë që presidenti amerikan Barack Obama t’a kuptoj këtë nëpërmjet Facebook statusit të Dell-it – tani faqja ka 17 episode. I kam parë “The Pimpsons” të shfaqen në faqen time të Facebook-it që nga fillimi i prillit. Dhe e ngacmon nervin e kosovarëve. Të hënën, faqja e “The Pimpsons” kishte më shumë se 6,200 përkrahës.
Ajo që më pëlqen: faqja qet në pah se si mendojnë shumë kosovarë për politikanët e tyre dhe praninë ndërkombëtare në Kosovë gjatë momenteve më të hidhëruara dhe të trishta – Dell është një amerikan pompoz dhe arrogant, Thaçi është kreu i ngadalshëm dhe Jahjaga është një kukull e dobët e mashtruar. “The Pimpsons” e bën këtë në një mënyrë që na bën të qeshim në vend se të qajm, dhe përderisa ne qeshim me ta, ne jemi ata që janë në kontroll – së paku për disa çaste.
Çfarë nuk më pëlqen: personazhet femra trajtohen gati si objekte seksi mjaft herë që kjo të bëhet e bezdisshme – tallu me një person, por mos bë shaka të dobëta të përshtatshme vetëm sepse ato janë gra. Flas për shakat për Vlora Çitakun në episodet 5 dhe 12. Ato nuk janë asgjë tjetër pos shaka të dobëta, dhe jo mirë të menduara, së bashku me karakterizimin e Mimoza Kusarit si një kokëboshe, fanatike e shopingut, që e do Behgjet Pacollin, në episodet 4 dhe 8. Për mendimin tim, edhe shakatë anale (episodi 6), vaginale (episodi 13) dhe me tampon (episodi 13) mund të largohen, por kjo është çështje e shijes.
Humori nganjëherë është i vrazhdë, por është një përkujtim i denjë për faktin se kosovarët janë më se në gjendje të shohin përmes pozimeve boshe të ndërkombëtarëve dhe politikanëve tonë. Le të paramendojmë se ka dy diskurse “zyrtare” që qarkullojnë në Kosovë, të dyja njëlloj fiktive. Njëra është ndërkombëtare, tjetra vendore. Diskursi ndërkombëtar ka të bëj me mënyrën se si kosovarët duhet të largohen nga e kaluara, të jenë fqinj konstruktiv, të bëhen evropianë, demokratikë dhe të gjitha këto gjëra të këndshme – përderisa ndërkombëtarët ndërhyjnë në politikën e Kosovës në një shkallë të tillë që është çdo gjë tjetër por jo evropiane apo demokratike. Ka një supozim të nënkuptuar në këtë mënyrë të mendimit që kosovarët janë mjaft budalla për të besuar gjithçka që u servohet dhe mjaft të pasigurt që të marrin çdo fjalë e këshillë ndërkombëtare si ungjill, pa marrë parasysh sa sillen ndërkombëtarët si zotëra. Kjo është një mënyrë e mendimit që e ndajnë shumë ndërkombëtarë në Kosovë, sikur të qenurit nga Perëndimi ofron një aftësi magjike për të “demokratizuar” dhe pontifikuar në emër të secilit shpirt fatkeq jo-perëndimorë. Marrëzirat vendore ushqejn marrëzirat e përshkruara më lartë – qoftë kjo nga kosovarët të cilët mendojnë se çdo person ndërkombëtar që ecën rreth Prishtinës është një dhuratë e manës nga qielli, apo nga politikanët që përfitojnë nga veprimet e tyre. Të jemi të sinqertë, marrëzirat vendore gjithashtu përfshijnë gjëra si lojalistët e partisë që besojnë që Partia Demokratike e Kosovës, PDK, e ka çliruar Kosovën pak a shumë vetë, që Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, ishte e vetmja parti vërtetë demokratike në Kosovë, dhe se Albin Kurti është i vetmi shpëtimtar i vendit.
Fanatikët e cilës do parti zakonisht vjellin marrëzira, por pjesa më e keqe është se sa më lart shkon në zinxhir, ka më pak fanatizëm – do të thotë ka më pak besim në marrëzira dhe ka thjesht pretendim. “The Pimpsons” përshkruan ndjenjën e përbashkët se klasa e njerëzve në pushtet në Kosovë rrijn ulur përreth, thurrin intriga dhe shkojnë në udhëtime skijimi në Bullgari, përderisa u hedhin fjalë të kota për demokraci dhe “miqtë ndërkombëtarë” kosovarëve të ngopur. Këtu “Thë Pimpsons” merr një yll të madh, vepron si një zë për të gjithë ne të cilët jemi lodhur duke dëgjuar njerëz që përpjeken të na shesin kështjella në qiell. Ne jemi duke shikuar, dhe nuk mund të na shitet më asgjë. Neve nuk mund të na shiten ndërkombëtarët të cilët pretendojnë të kenë zgjidhje për problemet tona, apo politikanët tonë që maskojnë egoizmin e tyre me fjalë të bukura. Njerëzit janë të lodhur nga fikcioni mbizotërues në lidhje me Kosovën: se në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë transformimi i Kosovës në një oazë të lulëzuar të mundësive ekonomike dhe “vlerave evropiane” do të ndodh në të ardhmën e afërt; se ne jemi paksa të prapambetur dhe jo aq progresiv, por me mbikëqyrjen perëndimore dhe lider “demokratikisht” të zgjedhur mund të bëjmë çdo gjë. Askush nuk shpëton nga “The Pimpsons”, që sipas meje është arsyeja pse faqja ka tërhequr as shumë adhurues aq shpejt. Pres me padurim të shoh kush është caku i rradhës.
Koment nga autorja:
Zakonisht s'kam arsye me dhonë komente shtesë në postimet e mija, po mbasi kjo është hera e parë që jam adresu publikisht, e kam pa t'udhes me dhonë një koment për shkrimin tim nga dje për “The Pimpsons”. E kam perfundu blogun me pyetjen 'kush ka me qenë caku i rradhës', e kur kemi pyt Fisnik Ismailin me bo nji ilustrim me bashkangjit me tekstin, kam prit qe ai caku ka me qenë unë. Kam prit diçka ne frymën më t'mirë të Pimpsonsave – parodi me dhëmbë, qe vret bash sepse e thotë të vërtetën. Me një fjalë e kam mirëprit. Rezultati ishte ky, i cili s'është pranu nga Kosovo 2.0.
Fatkeqësisht, Fisnik Ismaili ka dëshmu argumentin tim rreth mënyrës se qysh i paraqet femrat në boten e Pimpsonsave. Me lon vet me kriju një satire për një femër, ka me qenë domosdosmerisht diçka rreth budallakisë t'saj, bushtërsisë t'saj, ose ne rastin tem, per faktin që veshi brekë. Pa një t'keqe, po hala qëndroj mbas asaj çka thash dje: “tallu me një person, por mos bë shaka të dobëta e të përshtatshme vetëm sepse ato janë gra.”
Ne fakt, shumë m'pëlqen parodia politike në The Pimpsons – një shkrim javën e kaluar është shkruar për me lavdëru faqen për artikulimin e mënyrës se qysh shumica e Kosovarëve ndihen për politikanet tonë. është edhe qesharake, argëtuese, e mprehte, e guximshme, e plot sende tjera t'mira. Por edhe seksist është, kahdo qe t’ia kthesh. Kur një burrë i rritun e thërret nji njëzetetre vjeçare kudër via stripave, nuk është satire. Është për me t'ardh keq.
Fisi, herën tjetër kur mundohet dikush me t'dhon nji kompliment, pse s'po provon me thonë faleminderit? Mundësisht pa e thirr kudër (me ose pa ironi).
Artikulli origjinal është i shkruar në gjuhën angleze.
Vështrimet, mendimet dhe komentet e publikuara në këtë BLOG nuk janë domosdoshmërisht ato të personelit të redaksisë në Kosovë 2.0. Gjithashtu, faqja rezervon të drejtën t'i fshijë, të refuzojë, ose të heq çdo pikëpamje,mendim apo koment të postuar në shkrime. Të gjitha komentet që nxisin dhe inkurajojnë gjuha e urrejtjes ose diskriminimit do të jenë të moderuara.