... do të tregonin një histori shumë të zakonshme për njerëz të zakonshëm që dashuronin njëri-tjetrin jashtëzakonisht shumë.
Më falni për këtë fjali klishe të hapjes, por kjo është një histori klishe në lidhje me një situatë klishe. Shtëpia e vjetër e familjes sime është rrënuar. Me qëllim, me dorën e një kontraktori dhe buldozerit të tij, jo nga forca e natyrës. Ishte e vjetër, praktikisht një gërmadhw, me tendencë të rrëzohet mbi kokat tona nëse era do të frynte pak më shumë kështu që nuk kishim zgjidhje tjetër pos ta zëvendësojmë atë me një të re. Isha aq e gëzuar nga ideja e një shtëpie plotësisht të re që nuk do të dukej si një vend arkeologjik nga epoka e gurit, sa që plotësisht kam harruar që mund të më vij të qaj kur shtëpija e vjetër të rrënohet.
Kur para disa vite kemi pyetur për leje të ndërtimit, nëna ime qysh atëherë qante rreth faktit që do të rrënonte diçka në të cilën prindërit e saj kishin investuar të gjitha kursimet e tyre. Unë isha tepër e zënë duke luajtur dizajnere dhe duke rregulluar dhoma imagjinare që të më vijë keq. Kisha qeshur dhe racionalisht jam përpjekur t’i shpjegoj që shtëpia është thjesht një grumbull tullash të lidhura me çimento dhe nuk ka ndonjë vlerë të vërtetë emocionale.
Kjo qasje racionale dhe e arsyeshme punoi si hajmali deri sa nuk kam ardhur në vendin e ndërtimit dhe e pash që kishin hequr të gjitha dyert dhe dritaret e shtëpisë. DYERT E MIA! DRITARET E MIA! TË LARGUARA NGA SHTËPIA IME! E kam pasur një kolpas të brendshëm përderisa ecja nëpër dhomat e shkatërruar dhe bëja fotografitw e fundit të pjesëve të brendshme, përderisa lotë më rrjedhnin nëpër fytyrë. Mami vetëm qëndroi atje me një buzëqeshje në fytyrë dhe më tha: "Kjo është ajo që e fiton pasi ke qeshur me mua, qaj shpirt".
Saktë 23 vite të kujtimeve të mia tani janë një grumbull tullash, dru, gurë dhe pluhur të hedhura diku në ndonjë deponi.
Shkallët e mëdha të jasthme të gurit janë zhdukur. Shkallët ku gati kam thyer qafën në klasën e dytë kur kam bërë një rrokullisje të pavullnetshme që mund të më kishte lënë paraplegjike. Sapo kisha marrë një palë kllompe të reja, vrapova poshtë shkallëve për t’ia treguar ato shoqës dhe u rrëzova. Me siguri ende jeni duke menduar për fjalën "kllompe". Po, kllompe, kjo ishte moda e atyre ditëve.
Është zhdukur edhe dhoma e vjetër e gjyshës, dhoma ku ajo i ruante të gjitha gjërat e saja të vjetra. Duke përfshirë edhe një dollap që pothuajse kurrë nuk e hapnim, e që dikur ishte shtëpia e eksperimentit tim të fshehur shkencorë. Me të vërtetë doja të di se si duket veza kur e përzienë me uthull dhe e lënë në një kavanoz për disa ditë. E kam lënë aty për 5 vjet. Nuk bëj shaka. Jam e lumtur t’ju njoftoj se veza duket e gjelbër pasi që është përzier me acid me vite të tëra dhe çuditërisht nuk ka eksploduar dhe nuk i vinte era e keqe deri sa nuk e hap kavanozin.
Çdo gjë është zhdukur, edhe tavani të cilin kurrë nuk e kam parë, sepse jam akrofobike dhe nuk mund të ngjitja shkallët që çonin atje.
Çdo gjë është zhdukur, por themelet për kujtime të reja tanimë janë ndërtuar. Mure të reja janë duke u ndërtuar, gati për të më pranuar, duke pritur histori të reja për të treguar.
Artikulli origjinal është i shkruar në gjuhën angleze.
Foto: Danijela Simrak
Vështrimet, mendimet dhe komentet e publikuara në këtë BLOG nuk janë domosdoshmërisht ato të personelit të redaksisë në Kosovë 2.0. Gjithashtu, faqja rezervon të drejtën t'i fshijë, të refuzojë, ose të heq çdo pikëpamje,mendim apo koment të postuar në shkrime. Të gjitha komentet që nxisin dhe inkurajojnë gjuha e urrejtjes ose diskriminimit do të jenë të moderuara.