Çdo ditë që e kapi zeri.info ose koha.net, përballem me tituj si këto: Janë rritur çmimet e ushqimit; Mësuesit nuk i kanë marrë rrogat e tyre e premtuara; njerëz që vodhën votat në zgjedhjet e fundit u dënuan me gjashtë muaj burg.
Pas leximit të të gjitha raporteve në lidhje me parregullsitë e zgjedhjeve të fundit, mund të jemi të sigurt se kjo nuk është një qeveri demokratike. Kjo nuk është qeveri e popullit. Kjo është qeveri e votave dhe shpresave të vjedhura, e manipulimit dhe frikësimit. Nuk mund të jesh qeveri e njerëzve dhe të fshihesh pas dritareve të errëta të Mercedes-Benzit apo ndonjë veture tjetër super të shtrenjtë e super luksoze. Pyetja milion dollarëshe është: Çfarë mund të bëjmë ne, unë dhe ti, njerëzit e ndershëm e punëtorë të Kosovës. Rusët, që janë mësuar me regjime dhe qeveri autoritare, janë ngopur me sa duket dhe kanë filluar të protestojnë. Gjithashtu kemi qenë dëshmitarë të revolucioneve të kohëve të fundit në Lindjen e Mesme. Mesazhi që është dërguar në gjithë botën është: Njerëz, ne mund të bëjmë diçka rreth qeverive tona. Ne mund të marrim fatin tonë në duart tona.
Megjithatë, revolucionet lënë një hapësirë të zbrazët, e cila shpesh mbushet me njerëz që vetëm lakmojnë pushtet dhe pasuri. Joseph Conrad, shkrimtari i famshëm anglez i lindur në Poloni, nuk është shumë optimist kur bëhet fjalë për revolucione: “Ata që janë të ndërgjegjshëm dhe të drejtë, fisnik, humanë dhe të përkushtuar; bujar dhe inteligjent mund të fillojnë një lëvizje – por ajo i tejkalon ata. Ata nuk janë udhëheqësit e revolucionit. Ata janë viktimat e tij.” Në Kosovë nuk kemi nevojë për një revolucion, nuk kemi nevojë të rrëzojmë institucionet tona. Kosova është thyer, djegur dhe torturuar mjaft dhe për këtë arsyje shumë njerëz janë të lodhur dhe skeptik ndaj protestave. Por të kthehem në pyetjen milion dollarëshe, Çfarë duhet të bëjmë? Nuk jam eksperte, këshilltare politike apo analiste. Jam vetëm një qytetare e thjeshtë, por kjo pyetje djeg si zjarr brenda kokës sime. Ndjehem pasive, ndjehem se e ardhmja është duke më ikur dhe sa herë që mendoj në mbesën time, mendoj si nuk dua që ajo të ketë të njëjtin fat si gjeneratat e para-luftës.
Dua që të gjithë të ngrejmë zërin dhe kërkojmë pronësi mbi jetën tonë. Sa herë që dikush të kërkon rryshfet, raportoje. Jo vetëm në gjykata, por edhe në gazeta, duke u përmendur emrat e mbiemrat. Nëse e ke një kompani të madhe dhe aplikon për një tender të cilin e fiton dikush tjetër, kurse ti e din që e ke pasur ofertën më të mirë, bëre këtë të njohur. Sa herë që e sheh në universitet që disa studentë favorizohen ose marrin nota të mira, edhe pse pothuajse kurrë nuk shkojnë në ligjerata, raportoje atë, bëje publike, bëje të njohur. Bëhu më pak tolerant ndaj këtyre padrejtësive, ne i kemi përjetuar shumë prej tyre dhe kemi kaluar nëpër shumë gjëra. Kjo ndoshta na ka trashur lëkurat dhe na ka bërë më të mësuar me padrejtësi, por nuk duhet të jemi të mësuar. Mos u mësoni me të, ne ndoshta nuk e dijmë se çfarë do të thotë të kesh një qeveri të mirë (pasi që kurrë nuk e kemi pasur një), por të mos heqim dorë nga vetja. Të përpiqemi dhe të mbështesim njëri-tjetrin në arritjen e të mirës dhe largimin e të keqes. Kujto rrjetet që kemi ndërtuar gjatë regjimit serb; kujto që ne e kemi organizuar arsimin vetë. Ne kemi ndihmuar dhe mbështetur njëri-tjetrin në nevojë. Ishte një periudhë e tmerrshme, por ajo tregoi se ne mund të punojmë së bashku.
Kjo qeveri nuk ka super fuqi. Ata nuk janë perëndi, dhe ata nuk janë pronarët tanë apo të kësaj toke. Prandaj nuk duhet të jetë e pamundur për ta ndryshuar atë dhe për ta bërë më të përgjegjshme për veprimet e saj. Çdo njëri prej nesh le të luftoj betejat tona të vogla. Le të krijojmë rrjete dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin në këto beteja. Të fillojmë nga poshtë duke punuar në raste dhe çështje të vogla, dhe të punojmë deri lart.
Artikulli origjinal është i shkruar në gjuhën angleze.
Ilustrimi: Casey Weldon
Vështrimet, mendimet dhe komentet e publikuara në këtë BLOG nuk janë domosdoshmërisht ato të personelit të redaksisë në Kosovë 2.0. Gjithashtu, faqja rezervon të drejtën t'i fshijë, të refuzojë, ose të heq çdo pikëpamje,mendim apo koment të postuar në shkrime. Të gjitha komentet që nxisin dhe inkurajojnë gjuha e urrejtjes ose diskriminimit do të jenë të moderuara.