Lifestyle

Autori i ditës

Chris Wilson

Së pari e pushtojmë Manhattan

Lëvizjet protestuese në pjesë të madhe janë…

Shiko të gjithë autorët

Arkivi
2013

Maj (49) Prill (52) Mars (56) Shkurt (55) Janar (62) Më të vjetra

Hapësira Dominuese

Nga: James W. Stodgel

Nga momenti që kam kam hyrë në Prishtinë me taksi, në një natë të ftohtë dhe me tym të janarit, e kam marrë përsipër detyrën e analizimit të hapësirës publike dhe ndjenjës së vendit në Kosovë. Kurrë nuk do e harroj atë udhëtim, apo ditët e para të ardhjes sime, dhe është interesante të flas rreth disa temave që përsëriten e që luajnë një rol kompleks dhe konkurrentë në formësimin e përvojës.

Cila është historia e njerëzve që banojnë tani këtu, dhe si mund të shpjegohet përmes arkitekturës historike që ende mbijeton? Kjo është pyetja përgjigjen e të cilës jam duke e kërkuar. Unë jam vizitor, shkruaj mendimet dhe interpretimet e mia të asaj që ekziston rreth meje. Lagja ime më duket si një vend i mirë për të filluar.

Duke ecur nëpër Velani, në mes të bulevardit Nënë Tereza dhe parkut të Gërmisë, ka shembuj të shkëlqyer të tipologjisë tradicionale osmane të banimit. Këto prona identifikohen me një hyrje të fortifikuar, me mure të larta, nga balta apo muratura, dhe zakonisht me një dyqan të vogël ose biznes në anën e rrugës, e pastaj oborr para shtëpisë. Marrëdhënia e hapësirës publike dhe hapësirës private në qytetin e vjetër të Prishtinës është shumë interesante dhe e rëndësishme, sepse të jep mundësi të shohësh mënyrat e kaluara të jetesës dhe si kanë ndikuar ato në jetën e tanishme. Gjëja më e trishtuar është të shohësh gjithë ndërtimin e ri të dekadës së kaluar dhe mospërfilljen e plotë që i është bërë kontekstit historik. Kjo na tregon se çfarë ndodh kur gjendja e paligjshmërisë vjen pas luftës. Kultura, historia, dhe thelbi i një vendi e humbin gjithë vlerën përderisa ndërtuesit përfitojnë nga ata me më pak fat, duke blerë tokë të lirë dhe duke ndërtuar arkitekturë të lirë sa më shpejt që është e mundur. Diçka që mund të harrojmë apo të mos njohim është ndjenjë e cila më parë ka ekzistuar kur ke ecur nëpër ato rrugë. Valbona Shujaku, autore e Prishtina, Kujtime Poetike e krahason këtë përvojë me “ecje në një përrallë”.

Pyetja e parë që më vjen në mendje kur i hulumtoj këto rrugë të ngushta, është përse janë ndërtuar këto mure të larta të ndarjes dhe veçimit? Ndoshta arsyeja qëndron në atë se nuk e kanë ditur kush apo çfarë është jashtë murit, dhe të qëndrosh i sigurt nga kërcënimet e mundshme është pjesë integrale e mbijetesës. Ky kufi/element arkitektonik i sigurisë (muret masive me hyrje të vogëla, lehtë të mbrojtshme) është i rëndësishëm në dallimin e hapësirës ​​së kontrollueshme, apo hapësirës ​​private/personale, nga sfera e pakontrollueshme/publike e botës së jashtme. Kjo gjithashtu ndërton mendimin se jeta është në rrezik, ka pak siguri, dhe të jesh jashtë në “egërsirë” është gjë e rrezikshme. Pasiguria është një bazë e përbashkët në Ballkan dhe është e kuptueshme përse. Njerëzit gjithmonë janë duke kërkuar, shikuar, janë kurreshtar se kush apo çfarë është duke i pritur tek qoshja e rrugës.

Prapa murit është familja yte, jetesa yte, gratë dhe fëmijët tuaj, emri yt. Të jetosh pas murit krijon një njësi jashtëzakonisht të ngushtë të familjes, që besoj është edhe një nga arsyet pse është e zakonshme për fëmijët të jetojnë me prindërit edhe pasi që i mbushin 18 vjeç, mosha tipike kur të largojnë nga foleja në Shtetet e Bashkuara. Në rajone të botës ku lufta dhe konflikti janë të pranishëm, njerëzit janë më të prirur për të qëndruar brenda nga nevoja, e jo me zgjedhje të tyre. Prapa murit je i sigurt nga rreziku, jashtë murit lehtë mund të sulmohesh. Ky element arkitektonik, muri, që ka të bëjë me mbijetesën në ambiente të dhunshme, është i dobishëm për të kuptuar identitetin social të njerëzve sot në Kosovë.

Pasiguria ekzistenciale është vetëm një nga fytyrat e shumta që i kanë njerëzit në Kosovë dhe shpresoj që me kalimin e kohës kjo ndjenjë do të zhduket. Frika është faktor i pranishëm dhe faktori më negativ me të cilin Kosova ballafaqohet në rrugën e saj drejt zhvillimit dhe një të ardhme të ndritshme. E gjitha për të cilën unë mund të shpresoj është një botë pa mure, pa kufij, pa frikë. Atëherë ndoshta Kosova mund të arrijë potencialin e saj të begatë, diçka për të cilën ndjehem përgjegjës të kontribuoj. Duhet të jesh i guximshëm, të bisedosh me njerëz të huaj, të njoftosh njerëz dhe kurrë të mos pushosh së shtyri kufijtë. Këto ide mund të jenë të huaja dhe të çuditshme, por ato janë të nevojshme për një të ardhme shpresëdhënëse.

Artikulli origjinal është i shkruar në gjuhën angleze.
Foto: Eni Nurkollari
Vështrimet, mendimet dhe komentet e publikuara në këtë BLOG nuk janë domosdoshmërisht ato të personelit të redaksisë në Kosovë 2.0. Gjithashtu, faqja rezervon të drejtën t'i fshijë, të refuzojë, ose të heq çdo pikëpamje,mendim apo koment të postuar në shkrime. Të gjitha komentet që nxisin dhe inkurajojnë gjuha e urrejtjes ose diskriminimit do të jenë të moderuara.

Write a Comment

art