Kam qenë në Ballkan që nga fillim i shkurtit të këtij dimri të hidhur dhe tepër të ftohtë. Ky udhëtim është hera ime e tretë në rajon, por është vizita e parë në Serbi, Bosnje dhe Kosovë. Më parë kisha kaluar kohë vetëm në Kroaci dhe Slloveni. Këtu jam duke e përfunduar një semestër jashtë vendit. Kam ardhur nga Toronto për të studiuar Studime të paqes dhe konfliktit përmes një universitet nga Vermonti të quajtur Shkolla e Trajnimit Ndërkombëtar. Për shumicën e tre muajve të fundit kam qenë e vendosur në Beograd me një grup studentësh amerikanë të cilët studiojnë gjëra të ndryshme, nga filozofia deri te historia dhe marrëdhëniet ndërkombëtare e studime gjinore.
Studioj studime ndërkombëtare dhe letërsi e gjuhë frënge në York Universitetin në Toronto, që më bjen tek qëllimi i vizitës sime në Prishtinë. Programi me të cilin jam këtu i kushton vlerë jashtëzakonisht të madhe të mësuarit nëpërmjet përvojës dhe pavarësisë. Muajin e fundit të programit, studentët shpërndahen në mbarë rajonin për të bërë hulumtime të vogla të pavarura rreth temave të fokusuara. Në hartimin e këtij projekti, jam munduar të bashkoj interesin tim në gjuhët me studimet e paqes dhe konfliktit. Jam duke studiuar dygjuhësinë serbish/shqip brenda komunitetit shqiptar në Kosovë. Kosova është një shoqëri që ka kaluar nëpër konflikt, ku gjuha mund të ndaj njerëzit, në vend se t’i bashkoj, pasi që ekziston një aspekt i qenësishëm i diversitetit gjuhësor. Është interesante të mirret parasysh se si marrëdhëniet midis gjuhëve mund të pasqyrojnë marrëdhëniet në mes komunitit serb dhe atij shqiptar. Gjuha është diçka e lidhur ngushtë me identitetin, si atë personal ashtu edhe atë kolektiv. Me anë të gjuhës ne shprehim veten, bëjmë lidhje, dhe angazhohemi në komunikim me të tjerët – si qenie shoqërore kjo e fundit është një nga aktivitetet tona më thellësisht njerëzore.
E pastaj si reagon dikish nëse, historikisht, gjuha e dikujt është trajtuar si inferiore? Në ish-Jugosllavi gjuha serbo-kroate ishte dominante, madje edhe në krahinën relativisht homogjene shqiptare autonome të Kosovës. Pas pavarësisë, gjuhët serbe dhe shqipe formalisht janë të barabarta në nivelin federal. Megjithatë, thjesht në bazë të numrit të folësve, e lëre më në bazë të ndonjë parametri tjetër, gjuha shqipe është dominante. Ky është një ndryshim i madh apo përmbysje në hierarkinë e fuqisë në mes të dy gjuhëve. Atëherë, çfarë do të thotë sot për dikë të flas rrjedhshëm shqip, ndoshta e konsideruar si gjuhë e rezistencës, ose çlirimit, ose fuqisë? Çfarë do të thotë sot për dikë të flas rrjedhshëm serbisht, ndoshta e konsideruar si gjuhë e shtypjes historike, ose shtetit të kaluar të Jugosllavisë? Çfarë do të thotë të flas të dyjat? Apo, më konkretisht, të jetë një individ që mund të flas të dy gjuhët dhe që duhet të zgjedh se kur dhe ku mund të përdor njërën në vend të tjetrës?
Është gjithmonë e ndërlikuar të jesh studiues nga jashtë, e paramendoj se pikërisht kjo vështirësi është përvojë e mësimit. Në realitet, nëse dua të flas për marrëdhëniet e fuqisë nuk kam nevojë të shikoj më larg se tek dinamika e fuqisë në mes të hulumtuesit dhe komunitetit të hulumtuar. Kjo është një çështje që është intensivisht e pranishme, zakonisht e pakëndshme, që lidhet me një numër të konsideratave etike, dhe për të cilën nuk flitet mjaftueshëm. Nuk dua të bie në grackën e të ashtuquajturës veçanëri të Ballkanit, sipas të cilës ky rajon dhe populli i tij disi janë krejtësisht të ndryshëm nga njerëzit kudo tjetër. Të bësh këtë është të ndërtosh imazhin e një të huaji dhe të mohosh një njerëzim të përbashkët. Çështja e gjuhës si shprehje e fuqisë apo politikës nuk është diçka e kufizuar vetëm në Kosovë, apo në Ballkan. Vendet e Magrebit e kanë këtë dinamikë, Izraeli/Palestina e kanë këtë dinamikë, edhe Kanadaja e ka këtë dinamikë. Si person për kë gjuha amtare është anglishtja kanadeze dhe që flet edhe anglisht edhe frëngjisht, kjo është një dinamikë që unë e përjetoj çdo ditë. Si një hulumtuese naive e re (madje edhe etiketa e hulumtuesës tingëllon çuditshëm), mendoj se është e rëndësishme të mendosh në aspektin e të mësuarit nga komuniteti, në vend se të mësosh në lidhje me atë, pasi që kjo e fundit nënkupton trajtimin e komuniteti si një objekt, si një Petri enë në laborator. Personalisht, unë më me dëshirë dhe mendoj se është më e drejtë të jetoj në Prishtinë dhe të konsideroj komunitetin si mësuesit e mi, se sa të shikoj nga jashtë dhe të konsideroj komunitetin si subjekte.
Artikulli origjinal është i shkruar në gjuhën angleze.
Ilustrimi: MRK
Vështrimet, mendimet dhe komentet e publikuara në këtë BLOG nuk janë domosdoshmërisht ato të personelit të redaksisë në Kosovë 2.0. Gjithashtu, faqja rezervon të drejtën t'i fshijë, të refuzojë, ose të heq çdo pikëpamje,mendim apo koment të postuar në shkrime. Të gjitha komentet që nxisin dhe inkurajojnë gjuha e urrejtjes ose diskriminimit do të jenë të moderuara.