Të mërkuren, e datës 23.05.2012, udhëheqja e Universitetit të Prishtinës e tregoi veten e vërtetë. Ajo i ftoi përfaqësuesit e organizatave studentore për t’i përfunduar procedurat e përgaditjeve zgjedhore, por studentët të cilët nuk i nënshtrohen asaj, ajo i priti me shkopa gome, sprej dhe arrestime.
Ishim pikërisht ne ata studentë, studentët e organizuar në Lëvizjen STUDIM KRITIKË VEPRIM, të cilët një ditë më herët e kishin denoncuar rektorin Mujë Rugova dhe Këshillin Drejtues, të udhëhequr nga Basri Caprici, për shkelje dhe keqpërdorim të fondeve të publikut. Vetëm 4 orë pas këtij denoncimi në Prokurorinë Komunale, kjo strukturë që i ka hapur derë krimit, vendosi që studentëve Astrit Dehari, Durim Jasharaj dhe Rron Gjinovci t’ua mohojë të drejtën e kandidimit, pra të drejtën e të qenit student.
Ne gjithmonë kemi thënë se Universiteti ynë edhe sot është i pushtuar, jo nga pushtuesi i huaj por nga pushtuesi vendor. Nëpërmjet Këshillit Drejtues, organit që i është mbivendosur Senatit të Universitetit, pushteti e kontrollon edhe punëtorin më të thjeshtë të administratës së UP-së. Rektori, që e udhëheqë Senatin, përcaktohet nga Këshilli Drejtues. Këshilli Drejtues i ka 5 anëtarë nga UP-ja, por të cilët direkt apo indirekt janë të lidhur me PDK-në (si psh babai i Memli Krasniqit, gruaja e Lirak Celës etj.) dhe 4 anëtarë nga MASHT-i, të cilët i cakton ministri, e i cili caktohet nga kryeministri. Pra, shumë lehtë mund të shihet se si Universiteti ynë udhëhiqet nga interesat e partisë, e jo nga njerëzit e shkencës dhe artit.
E studentët të cilët nuk u rrahën e arrestuan atë ditë, janë po ata studentë të cilët ishin brenda Rektoratit derisa shoket dhe shoqet e tyre arrestoheshin. Ata pas arrestimeve dolën dhe thanë se këta studentë të arrestuar nuk duhet të kenë të drejtë kandidimi. Përse studentët e Rektoratit dalin kundër studentëve që luftojnë për të drejtat e tyre? Sepse janë pikërisht këta të cilët fitojnë nga shkelja e të drejtave studentore. Sot, studentët padrejtësisht duhet të paguajnë semestër (padrejtësisht sepse Universiteti merr fonde nga buxheti shtetëror, dmth ne taksohemi dy herë duke e paguar semestrin), ndërsa studentët e Rektoratit, të grumbulluar në Parlamentin Studentor, që të gjithë janë të liruar nga pagesa e semestrit. Po këta studentë të grumbulluar në Parlamentin Studentor, marrin rroga deri në mijëra euro, për sic thuhet në dokumentet zyrtare “punën e tyre vullnetare”. Dhe të gjitha këto benificioni e shumë të tjera, atyra ua mundësojnë Këshilli Drejtues dhe Rektorati. Pra, një aktualizim i gjendjes së Universitetit tonë, pritet me dhunë shtetërore nga udhëheqësit e Universitetit dhe kërkesa për eliminim nga shërbyesit e tyre studentë.
Por, ne do të vazhdojmë me përpjekjen tonë për një Universitet Publik, një Universitet politik e jo partiak. Ne e dijmë se do të përballemi me dhunën shtetërore dhe kërkesa për eliminimin tonë nga njerëzit e pushtetit. Por ata janë shumë pak. Rektorati dhe Këshilli Drejtues përfaqësojnë një shtresë të shoqërisë të mirëmbajtur nga krimi dhe shërbimi sekret, e organizatat studentore përfaqësojnë vetëm 10% të studentëve me zgjedhje. Ne e dijmë se zgjedhjet nuk janë zgjidhje, por ato janë një mjet për shqetësimin e sistemit dhe përballjen me të. Zgjidhja e problemeve të studentëve nuk mund të vijë nga organet studentore, sepse me statutin e UP-së nuk është e mundur një gjë e tillë. Pra, zgjidhja e vetme është mobilizimi i studentëve nëpërmjet organizimit të tyre. Dhe pikërisht këtë gjë e kemi bërë, po e bëjmë dhe do ta bëjmë. Ne për dy vite e kemi studiuar Universitetin, për dy vite e kemi kritikuar atë dhe kemi bërë thirrje duke propozuar një Universitet tjetër dhe qe dy vite kemi organizuar aksione e protesa. Ne do t’i vazhdojmë protestat dhe aksionet tona radikale, deri në rrëzimin e këtij pushteti në UP, që do të ishte nisma e rrëzimit të këtij pushteti diktatorial në vendin tonë. Ne do t’ia kthejmë politiken studentit dhe profesorit, në mënyrë që Universiteti t’u kthehet atyre. Ne do të angazhohemi për kthimin e Universitetit tek studentët dhe profesorët, në mënyrë që Universiteti t’i kthehet interesit të shtetit dhe jo tregut neoliberal. Ne, do të angazhohemi që P-ja e UP-së, të jetë Publikja e jo Privatja.
Artikulli origjinal është i shkruar në gjuhën shqipe.
Ilustrimi: Chad Wys
Vështrimet, mendimet dhe komentet e publikuara në këtë BLOG nuk janë domosdoshmërisht ato të personelit të redaksisë në Kosovë 2.0. Gjithashtu, faqja rezervon të drejtën t'i fshijë, të refuzojë, ose të heq çdo pikëpamje,mendim apo koment të postuar në shkrime. Të gjitha komentet që nxisin dhe inkurajojnë gjuha e urrejtjes ose diskriminimit do të jenë të moderuara.