Kurdo që përmendet liria e shprehjes, gjëja e parë që më kujtohet është e ashtu-quajtura “Shoqëria e Gazetarëve të Vdekur”. Gazetarët për të cilët do të shkruaj sot janë pjesë e një liste më të gjatë të njerëzve vrasjet e të cilëve simbolikisht përfaqësojnë vrasjen e pjesës së Serbisë që i kundërvihej marrëzisë së viteve 90-ta. Lista është e gjatë, e disa nga emrat e saj përfshijnë Ivan Stambolić, Zoran Đinđić, si dhe shumë të tjerë emrat e të cilëve nuk i kemi dëgjuar aq shpesh si Srđan Aleksić, dhe shumë të tjerë emrat e të cilëve kurrë nuk do i dijmë. Milan Pantić (1954-2001) dhe Duško Jovanović (1964-2004) gjithashtu janë anëtarë të Shoqërisë së Gazetarëve të Vdekur. Ata botuan raporte lidhur me skandale, krim të korporatave dhe korrupsion në Serbi dhe Mal të Zi.
Nuk më pëlqen të lexoj, e aq më pak të shkruaj për të vdekurit sepse mendoj se jam duke u përzier në qetësinë dhe privatësinë e tyre. Megjithatë, mendoj se është e rëndësishme t’i kujtojmë dhe për ata që e lexojnë këtë blog të dijnë rreth tyre. Dëshiroj që ju të shihni këtë përkujtim të tyre si kujtim të guximit të tyre.
Dada Vujasinović
E lindur në vitin 1964 në Hercegovinë, ajo përfundoi studimet e saj në letërsinë jugosllave dhe gjuhën serbo-kroate në vitin 1987. Kur ishte 26 vjeçare, filloi të raportoj për fillimin e luftës civile në Jugosllavi: nga Bosnja, Krajina, nëpër Sllavoni e Sarajevë. Në raportet e saj të pavarura e të zymta rreth absurditetit të luftës, të cilat mund t’i gjeni në internet (në serbisht), ndër të tjera shkruan se si të gjitha vuajtjet e njerëzve që kanë humbur çdo gjë në luftëra do të bëhet e pakuptimtë nga ana e atyre që kanë vendosur t’i përdorin si mjet për t’u pasuruar dhe për të forcuar pushtetin e tyre politik. Në fund të vitit 1992 vendosi të mos shkoj më në front, sepse siç tha ajo “nuk mund të shkruaj se si qyteti shkatërrohet dhe fëmijët vriten”.
Në vend të raporteve nga fronti, ajo u përqëndrua në shkrim rreth lidhjes së elitës së atëhershme politike dhe bandave kriminele. Ajo ka intervistuar dhe analizuar jetën dhe veprat e ikonave të viteve të 90-ta si Karadžić, Arkan, Milan Babić, Vojislav Šešelj, Borisav Jović dhe të tjerë. Thonë se pas një serie të vrasjeve në Beograd ajo e ka thirrur Arkanin dhe e ka pyetur kush është në rradhë, e ai i është përgjigjur: “Ti je. Lirisht shkruaje këtë”.
Në pasditen e 7 prillit 1994, ajo bleu një buqetë me tulipanë. Në mbrëmje bisedoi me telefon me një shok i cili i lexonte artikujt e saj para botimit. Të nesërmen në mëngjes është gjetur e vdekur, me plagë nga pushka e gjahut në gjoks. Deri sot versioni zyrtar thotë se ishte vetëvrasje.
Slavko Ćuruvija
U lind në Zagreb në vitin 1949, dhe ka diplomuar nga Fakulteti i Shkencave Politike në Beograd në vitin 1978. Në vitin 1994 e filloi revistën e parë private në Serbi, ‘Nedeljni Telegraf’ (Telegrafi Javor), dhe dy vjet më vonë gazetën ‘Dnevni Telegraf’ (Telegrafi Ditor) dhe ‘Evropljanin’ (Evropian).
Të dy revistat janë gjobitur disa herë me shuma të mëdhaja për “prishjen e rendit kushtetues”, kryesisht për raportim të ngjarjeve në Kosovë, dhe në vjeshtë të vitit 1998 më në fund janë ndaluar dhe mbyllur, kurse pasuritë e tyre janë konfiskuar. Shtypja e gazetave pastaj është zhvendosur në Malin e Zi, nga ku gazetat kontrabandoheshin në Serbi. Numri i fundit i Dnevni Telegraf ka dalur me 24 mars 1999 me një titull të madh në faqen e parë “Shmanguni luftës!”
Thonë se vrasjës së tij i ka parapri një konflikt i rëndë dhe një përleshje me Mirjana Marković rreth zhvillimit të situatës në Kosovë. Vetëm disa ditë para vrasjes së tij në gazetat pro-qeveritare është botuar një artikull në të cilin ai akuzohej për tradhti dhe për dëshirim të bombardimit. Marković e ka quajtur atë armikun numër një të shtetit në një nga mbledhjet e partisë së saj politike. Shumë i shohin këto ngjarje si një lloj të gjykimit.
Në ditën e Pashkëve, 11 prill 1999, Ćuruvija u vra para banesës së tij në qendër të Beogradit. 27 agjentët e sigurimit të shtetit që e përcillnin janë tërhequr nga misioni pak para vrasjes. Gjer më sot vrasësit e tij nuk janë gjetur apo dënuar.
Dëshiroj të përfundoj këtë blog me një citim nga Dada Vujasinović: “Vetëm më vije keq se kam mësuar që kafshët janë në të vërtetë njerëz. Sa lehtë është që një person të kthehet në kafshë. Më vjen keq që me vullnetin e fatit kam lindur këtu, kur lehtë kam mundur të lindi diku tjetër dhe të kaloj jetën time në një fantazi të lumtur për njerëzimin.”
Artikulli origjinal është i shkruar në gjuhën serbe dhe angleze.
Foto: Liu Bolin
Vështrimet, mendimet dhe komentet e publikuara në këtë BLOG nuk janë domosdoshmërisht ato të personelit të redaksisë në Kosovë 2.0. Gjithashtu, faqja rezervon të drejtën t'i fshijë, të refuzojë, ose të heq çdo pikëpamje,mendim apo koment të postuar në shkrime. Të gjitha komentet që nxisin dhe inkurajojnë gjuha e urrejtjes ose diskriminimit do të jenë të moderuara.