Politics

Autori i ditës

Cristina Marí

E kanë thirrur Revolucioni spanjoll

Më 15 maj 2011 diçka ka ndodhur,…

Shiko të gjithë autorët

Arkivi
2013

Maj (51) Prill (52) Mars (56) Shkurt (55) Janar (62) Më të vjetra

Obligimi ynë të flasim

Nga: Besa Luci

Kjo javë është java e lirisë së shprehjes në Kosovo 2.0 dhe u kemi kërkuar blogerëve tonë që të shkruajnë për mendimet e tyre mbi disa nga çështjet më urgjente në lidhje me këtë temë në vendet e tyre. Të enjten, Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, do të diskutojmë se si dy artikujt e fundit të shtuar në Kodin Penal të Kosovës i kanë hedhur edhe një grusht tjetër mjedisit tashmë të brishtë të mediave në Kosovë, pasi që sipas tyre botuesit, redaktorët, shtypshkronjat dhe prodhuesit kanë përgjegjësi penalë, pa u deklaruar specifikisht cilat janë këto vepra penale. Për të filluar javën, unë do të përqëndrohem në atë që na goditi afër shtëpisë këtu në Kosovo 2.0. Javën e kaluar kemi anuluar pjesëmarrjen tonë në SHARE konferencën në Beograd.

Pothuaj të gjithë e dinë se çfarë ka ndodhur, por ja një përmbledhje e shkurtër. SHARE e kishte ftuar Kosovo 2.0 të merr pjesë në konferencën tre-ditore së bashku me disa nga novatorët më të mëdhenj që janë duke punuar në fushën e mediave të reja dhe teknologjisë. Dy ditë para konferencës, lëvizja ultranacionaliste serbe NASI (Tanët), kërkoi përmes një deklarate publike që autoritetet serbe të ndalojnë prezantimin tonë në Beograd pasi ne do të promovonim “narko-shtetin e Kosovës”. Ata gjithashtu thirrën të gjithë individët dhe grupet “patrotike” të protestojnë prezantimin tonë duke u mbledhur para vendit ku do të mbahejt Share dhe duke djegur flamurin e Kosovës. Kjo është lëvizja e njëjta që pranverën e kaluar e ka përkrahur publikisht diktatorin e vonë libian Muammar Gaddafi, e ka djegur flamurin e Vojvodinës, dhe ndihmon që të ketë njerëz në barrikadat serbe në veri të Kosovës. Ne kemi anuluar udhëtimin tonë për shkak të brengave për siguri.

Është e rëndësishme të theksohet se NASI ka një reputacion të zymtë edhe në Serbi pasi që janë të njohur për abuzim të komunitetit LGBT, e madje shkojnë edhe aq larg sa kërkojnë anulimin e transmetimit të serialeve turke pasi që Perandoria Osmane për 500 vjet kishte qenë pushtuese e rajonit. Aktualisht, Gjykata Kushtetuese e Serbisë është në proces t’ua ndalojë të drejtën e shoqërimit. NASI ka një qëndrim vazhdueshëm agresive ndaj Kosovës dhe lidhje të ngushta me Ultra Çetnikët. Pas deklaratës së tyre kam pranuar disa mesazhe private nga shokë në Beograd që na lutnin të jemi të kujdesshëm. Me keqardhje të madhe kemi vendosur të mos marrim pjesë.

Gjatë ditëve të ardhshme, përderisa zhvillohej konferenca, njerëzit na kanë dërguar mesazhe të panumërta mbështetëse. Aktivistët e organizatës Dokukino dhe Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Serbi kanë veshur maica “Të gjithë jemi Kosovo 2.0” të shkruara në shqip dhe serbisht; Dokukino dhe revista Bturn po ashtu kanë shtypur dhe shpërndarë Kosovo 2.0 stikera në emrin tonë.

Në mes të zhgënjimit dhe frustrimit tonë, akte dhe mesazhe të tilla të mbështetjes ishin një shembull i mrekullueshëm se si individët mund të kapërcejnë ndarjet paraprakisht të vendosura duke u angazhuar në politikë pjesëmarrëse, duke luftuar nëpërmjet kanaleve të ndryshme të shprehjes dhe duke vepruar si qytetarë global. Por, kishte diçka rreth të cilës vazhdonim të brengoseshim në Kosovo 2.0 përderisa vinin reagime se cila është mënyra e “duhur” apo e “drejtë” për të adresuar incidente të tilla.

Pasi kemi bërë të ditur tërheqjen tonë nga SHARE, një koment në veçanti më tërhoqi vëmendjen. Komenti thotë: “Megjithatë, nuk më pëlqen paragrafi i fundit i komunikatës për shtyp (pa shtjelluar nëse kjo është e vërtetë apo jo). Me këtë ju jeni duke pranuar argumentin e fashistëve se kjo e gjitha është në niveli politik, që nuk është. Share Konferenca është një vend për shkëmbim të ideve të reja dhe jo mjet për promovim politik apo vend për të vendosur apo promovuar statusin e Kosovës”. Ky koment i referohej deklaratës tonë që tërheqja jonë nga konferenca është një shembull tjetës se si liria e qytetarëve të Kosovës, dhe Kosova në tërësi, po shkelen nga Serbia.

Në një anë, kjo deklaratë mund të lexohet si politizimi i çështjes pasi që e merr përvojën e organizatave tona të pavarura dhe e vendos atë brenda kontekstit të marrëdhënieve të konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë. Në fund të ditës, në SHARE, unë do të kisha prezentuar identitetin politik të Kosovo 2.0 – një medium i ri, në duart e një gjenerate të re që është e pakënaqur me rrjedhën e proceseve politike në vendet e tyre dhe në botë; individë të cilët duan të rikthejnë autorësinë e tregimieve që janë duke u treguar.

Megjithatë, nga ana tjetër, fakti se të gjithë individët sjellin ndjenjën e tyre të identitetit në diskutim nuk mund të injorohet apo shpërfillet. Dhe nuk flitet për një identitet të ndërtuar nga hapësira territoriale dhe konceptuale, të dizajnuar me anë të përdorimit dhe pranisë së simboleve, historisë kolektive apo lidhjeve të gjakut që janë të parashtruara dhe të përforcuar me elemente dhe kanale shtetërore. Për ne, është ndjenja e identitetit të formuar nëpër përvojat e jetës së përditshme që ne e bartim në kuptimin tonë të situatave dhe që ne e manifestojmë në përgjigjet dhe ndërveprimet tona me njerëzit rreth nesh.

Në Kosovë, pjesë e këtij identiteti është një nivel i lartë i pakënaqësisë së gjeneratës tonë me klasën aktuale politike udhëheqëse. Aprovimi i Kodit të ri Penal vetëm tregon se udhëheqësit dhe institucionet e Kosovës janë kryesisht të interesuar në kufizim të demokracisë, që ka arritur deri në shkallen e futjes së legjislacionit kërcënues, kufizues dhe kontrollues për profesionistët e mediave që tashmë përballen me pengesa të shumta në punën e tyre të përditshme – nga censura joformale (frikësimi, kërcënimi), censura strukturore (kushtëzim i burimeve financiare me raportim pozitiv) deri te ndikimi brenda shtëpive mediale si pasojë e interesave të mbartura politike ose të biznesit.

Në të njëjtën kohë, një pjesë shumë e rëndësishme e identitetit tonë, që ka qenë e gjithëpranishme viteve të fundit, është përjetimi i vazhdueshëm i pabarazisë, qoftë brenda vetë Kosovës, apo në raport me vendet në rajon, Evropën apo botën. Kjo ndjenjë e pabarazisë nuk është vetëm duke sfiduar liritë themelore, por është edhe duke penguar përpjekjet për të mbrojtur të drejtat politike, civile dhe të mediave.

Kjo është arsyeja pse kur një grup nacionalist, pa marrë parasysh madhësinë apo rëndësinë e tij, arrin të ketë rol në pjesëmarrjen tonë në një konferencë, kjo shihet si sulm. Sepse thirrja e tyre për veprim është e bazuar në politikat e miratuara nga shtetit serb, ajo nuk qëndron si një incident i izoluar për shkak se legjislacioni shtetëror serb ndalon çdo aktivitet që sugjeron njohjen e Kosovës së pavarur dhe i bën oganizuesit e tij ligjërisht përgjegjës. Ne e shohim përvojën tonë si kopje e përvojave për të cilat kemi dëgjuar vazhdimisht nga shokët tanë (anulimi i pjesëmarrjes në ngjarje kulturore të mëparshme në Serbi apo Bosnjë), e historive për të cilat kemi lexuar në gazeta (atletët që nuk mund të marrin pjesë në ndeshje ndërkombëtare), apo arrestimeve të fundit hakmarrëse të shqiptarëve të Kosovës në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë (siç është rasti i Hasan Abazit, kryetar i Sindikatës të metalpunuesve të Kosovës, dhe të sindikalistit Izet Mustafa).

Kjo është arsyeja pse për qytetarët e Kosovës, e vërtetë se personalja është politike është një përvojë që e jetojnë çdo ditë. Kur na mohohet e drejta për të marrë pjesë, për të lëvizur lirisht dhe për të ekzistuar si kosovarë, kjo prodhon një përgjegjësi shoqërore për t’u angazhuar politikisht. Është përgjegjësi e Kosovo 2.0 si media të trajtoj këto çështje themelore të pabarazisë.

Artikulli origjinal është i shkruar në gjuhën angleze.
Ilustrimi: Collin van der Slujis
Faqja rezervon të drejtën t'i fshijë, të refuzojë, ose të heq çdo pikëpamje,mendim apo koment të postuar në shkrime. Të gjitha komentet që nxisin dhe inkurajojnë gjuha e urrejtjes ose diskriminimit do të jenë të moderuara.

Write a Comment

art