Java e kaluar shënoi fundin e një serie historike të bisedimeve midis zyrtarëve nga Beogradi dhe Prishtina – bisedime të para që nga shpallja e shumëpritur e pavarësisë në vitin 2008. Pesë muaj rraskapitës, që kishin filluar në javën e parë të marsit, më në fund sollën tek arritja e marrëveshjeve për disa “çështje logjistike”. Kjo ka kuptim, duke pasur parasysh që dy vende që ndajnë një kufi duhet të kenë një mirëkuptim të ndërsjellë të rregullave dhe rregulloreve që kanë të bëjnë me qytetarët e njëri-tjetrit. Dhe natyrisht, çdo lloj komunikimi në mes të Beogradit dhe Prishtinës është një gjë e mirë, apo jo? Mos u ngutni. (Nuk menduat me të vërtetë se e kam ndryshuar qëndrimin tim?)
Para diku dy muajsh, pashë një intervistë në mes të personalitetit televiziv kosovar Jeta Xharra dhe Borislav Stefanović, drejtorit politik për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë dhe kreut të ekipit negociues të caktuar për bisedimet me Prishtinë. Qëllimi i intervistës duket të ishte që t’i ofrohej publikut një ide më e mirë për atë që po ndodhte pas dyerve të mbyllura. Edhe pse isha shumë e impresionuar me qasjen e Xharrës në intervistë, programi një orësh disi i la shikuesit me më shumë pyetje se përgjigje.
Thjesht nuk e kuptoja se çfarë mundohej të thoshte Stefanović. Sipas tij, Serbia dhe Kosova duhet të synojnë të ecin përpara sepse të dyjat janë njëlloj fajëtore për të kaluarën. Ai gjithashtu tha se duhet të shmangen numërime të trupave, kështu që nuk jam e sigurt në çfarë e bazonte këtë ekuivalencë. Për të, serbët dhe kosovarët nuk janë fqinjë, ata janë “njerëz të cilët jetojnë së bashku”. Por, në qoftë se ishte ashtu, atëherë çështjet për të cilat ai ishte atje nuk do të ekzistonin. Ai i’u shmang çdo reference për Kosovën si ndonjë gjë tjetër pos vetëm si “Kosovë dhe Metohi”. A është kjo një shtet? Një krahinë autonome? Një nirvana mitike midis botës fiktive të Narnias dhe Neverland, ku mund të arrihet vetëm nëpërmjet trenit nga Platforma 9 3/4? Ka dy shpjegime të mundshme për refuzimin e Z. Stefanović që të njohë Kosovën si komb: 1) ai është duke jetuar në shpellë që nga shkurti i vitit 2008, ose 2) ai nuk e konsideron Kosovën komb. Muaj pas kësaj interviste paraljamëruese, rezultati duket të jetë po aq i pështjellur.
Si duket janë arritur marrëveshje për lirinë e lëvizjes së qytetarëve përtej kufirit të tyre të përbashkët. (Cilit kufi? Z. Stefanović nuk mendon se ka kufi – përveç nëse është kufiri që shokët e tij e kanë propozuar për ndarje, atëherë ka kufi.) Gjithashtu është thënë se ata vendosën mbi çështjen që Serbia mban regjistrat civil, si dhe është arritur marrëveshje për të njohur reciprokisht sistemet e arsimit të njëri-tjetrit në parim. Përsëri, nuk jam e sigurt se çfarë do të thotë kjo; arsyeja e vetme pse duhet të përmendet pjesa “në parim” është nëse pjesa “në praktikë” është ndryshe, që do të humbte qëllimin e deklarimit të parimit. E gjithë kjo është shumë e pështjellur, e prapë se prapë, për njëfarë arsye, fare jo e befasueshme.
Definicioni i një marrëveshje është ky:
një marrëveshje e negociuar dhe zakonisht ligjërisht e detyrueshme ndërmjet palëve për një mënyrë të veprimit
Dhe kjo është pikërisht ajo që Serbia dhe Kosova nuk e kanë arritur. Përse? Sepse “ndërmjet palëve” mund të jetë e mundshme vetëm kur të dyja palët e pranojnë ekzistencën dhe fuqinë e tjetrës, diçka që zyrtarët serbë nuk mund të bëjnë pa njohur zyrtarët e Kosovës, që do të thotë që së pari duhet të njohin burimin e autoritetit të tyre, vetë shtetin. Në teori, respektimi i këtyre marrëveshjeve mund të ishte shenjë që Serbia de facto e njeh Kosovën, por nuk është kështu për shkak se marrëveshjet u arritën vetëm që Serbia të përmbush kushtet për anëtarësim në BE. Me fjalë të tjera, 5 muaj lojë me fjalë duket se kanë rezultuar në marrëveshje të cilat janë mjaft të paqarta në mënyrë që lehtë mund të keqinterpretohen.
Nëse diçka e mirë mund të vij nga këto bisedime (dhe bisedime të ardhshme), aëherë super. Por, deri sa pritjet e mia skeptike nuk dëshmohen si të gabueshme, unë do të vazhdoj të pajtohem me parimet politike të Vetëvendosjes. Për të negociuar me të vërtetë në mënyrë të sinqertë, palët e përfshira duhet të pranojnë statuset e njëra-tjerës. Mungesa e progresit të vërtetë në mes të Beogradit dhe Prishtinës (dmth. refuzimi i vazhdueshëm i Serbisë për të njohur Kosovën) vetëm më tej konfirmon atë që partia e vetëvendosjes ka qenë duke e thënë gjatë gjithë kohës. Ndoshta kur bisedimet nuk duhet të përfundohen në Bruksel dhe nuk duhet të ndërmjetësohen nga BE-ja, ndoshta kur Z. Stefanović e kupton që vendi i quajtur Republika e Kosovës është në fakt një shtet sovran, dhe ndoshta kur Serbia e dëshmon vetën të besueshme duke i përmbushur obligimet e veta edhe pa mbikëqyrjen e BE-së, bisedimet e vërteta mund të fillojnë.
Artikulli origjinal është i shkruar në gjuhën angleze.
Foto: Christophe Gateau
Vështrimet, mendimet dhe komentet e publikuara në këtë BLOG nuk janë domosdoshmërisht ato të personelit të redaksisë në Kosovë 2.0. Gjithashtu, faqja rezervon të drejtën t'i fshijë, të refuzojë, ose të heq çdo pikëpamje,mendim apo koment të postuar në shkrime. Të gjitha komentet që nxisin dhe inkurajojnë gjuha e urrejtjes ose diskriminimit do të jenë të moderuara.