Së fundi një shok më dha butonin Vetëvendosje të cilin ai zakonisht e mban në xhaketën e tij si një kujtim. Është i ndryshkur në skaje dhe duket sikur ka kaluar nëpër kohë të vështira. Ai e kishte këtë buton kur u arrestua sepse kishte bllokuar rrugët dhe kishte gjuajtur me domate Edita Tahirin, kryenegociatoren e Kosovës në bisedimet me Serbinë. E kishte atë kur protestoi në shi kundër qeverisë. Tani është në kuletën time. Kurrë nuk do e mbaja pasi që nuk e mbështes Vetëvendosjen.
Nuk dua që Vetëvendosje të jetë në pushtet. Dëshiroj që të kishte një version të moderuar të saj, me përkrahës të cilët nuk do të hidhni as perime as gurë, nuk do të përmbysnin kamionë, nuk do të thonin se të gjithë njerëzit që nuk pajtohen me ta i kanë trurët e shpërlarë, nuk do të dëshironin një referendum për bashkimin me Shqipërinë dhe nuk do të valonin flamurin e Shqëipërisë në vend të atij të Kosovës. Dëshiroj të kishte një parti me një udhëheqës që e ka inteligjencën dhe edukatën e Albin Kurtit dhe sjelljen e mirë të demokratëve zviceranë. Do të ishte mirë të kishte një parti me pasionin e Vetëvendosjes, që e kursen energjinë e saj për veprime paqësore, në mënyrë që anëtarët e saj të mos arrestohen çdo tre ditë.
Çfarë i duhet Kosovës është një qeveri që nuk vjedh, që nuk gënjen (të paktën jo shumë) dhe që përpiqet të mbaj emocionet në një nivel të ulët kur është fjala për negociata me Serbinë. Kosova ka nevojë për një qeveri që kujdeset për qytetarët e saj. Ka nevojë për një qeveri që me të vërtetë mbështet lirinë dhe respekton dinjitetin e të gjithë kosovarëve.
Mediave të huaja u pëlqen të shkruajnë që Vetëvendosje janë nacionalistë të mëdhenj e të keq. Është e vërtetë, Vetëvendosje ka ide nacionaliste, por t’i quash ata vetem nacionalistë është marrëzi. Vetëvendosje është një forcë më shumë se legjitime në Kosovë. Ajo pasqyron neverinë e më shumë se një gjeneratë ndaj korrupsionit dhe ndërhyrjes politike në çdo pjesë të jetës publike, ndaj sjelljes servile me ndërkombëtarët e paguar jashtëzakonisht shumë dhe ndaj mbylljes së gojës së popullit të Kosovës.
Qëndrimi i Vetëvendosjes ndaj importimit të mallrave serbe është në shumë mënyra i arsyeshëm. Është e çuditshme që Kosova varet nga tregtia me një vend që nuk e njeh atë. Nëse mendoni rreth kësaj në mënyrë pragmatike, është qesharake që Kosova e importon shumicën e mallrave nga Serbia pa i’u lejuar të eksportoj gjërat e saja me vulën “Republika e Kosovës” në to. Edhe pse unë i mbështes protestat e Vetëvendosjes në janar në pikat kufitare të Merdares dhe Dheut të Bardhë, nuk pajtohem me mënyrën e të protestuarit në çdo rast.
Bashkimi Evropian dhe SHBA-të zgjodhën anën e një qeverie të thyer. Ato mbështesin një morri të njerëzve të korruptuar dhe hipokrit që pak nga pak e shkatërrojnë kombin e ri të Kosovës. Ata u paguajnë miliona euro organizatave që dështojnë në misionin e tyre për të ndihmuar Kosovën. Vërtetë, kjo ka aspekte të neoimperializmit, por njerëzit kanë tendencë të nënvlerësojnë rëndësinë e pranisë ndërkombëtare në Kosovë.
Normal që bashkësia ndërkombëtare nuk mund të mbështes një lëvizje si Vetëvendosja në Kosovë. Por është ide e gabuar e mbështetësve të Vetëvendosjes që ata fare nuk kanë nevojë për bashkësinë ndërkombëtare. Kosova ekziston për shkak të vullnetit të mirë të SHBA-ve dhe BE-së dhe fundi i ndikimit të tyre në Kosovë as që mund të parashikohet. Pra, po qe se Vetëvendosje e gjen një mënyrë të rafinohet (sado e tmerrshme që kjo tingëllon) dhe të qëndrojë për një politikë të qartë, pa gjithë këtë rebelim dhe bllokim megaloman të rrugëve, ajo mund të bëhet një partner i fortë dhe i arsyeshme për bashkësinë ndërkombëtare. Atëherë ata do të mund të bëjnë shumë më shumë për atdheun e tyre se që mund të bëjnë tani që janë në kundërshtim me mbikëqyrjen dhe ndikimin ndërkombëtar. Duke lënë neoimperializmin mënjanë, në fund të fundit BE dhe SHBA më me dëshirë do të punonin me njerëz që nuk vjedhin para nga vendi i tyre për të ndërtuar kështjella për vetën e tyre. Thirrja për një alternativë të pranueshme për qeverinë aktuale është e hapur. Pa marrë parasysh se sa thellë e ngulitur është situata politike në Kosovë, ka shpresë për ndryshim.
Artikulli origjinal është i shkruar në gjuhën angleze.
Ilustrimi: Andrea Sopranzi
Vështrimet, mendimet dhe komentet e publikuara në këtë BLOG nuk janë domosdoshmërisht ato të personelit të redaksisë në Kosovë 2.0. Gjithashtu, faqja rezervon të drejtën t'i fshijë, të refuzojë, ose të heq çdo pikëpamje,mendim apo koment të postuar në shkrime. Të gjitha komentet që nxisin dhe inkurajojnë gjuha e urrejtjes ose diskriminimit do të jenë të moderuara.