Kujtimet e fëmijërisë nga ditët e kaluara në rrugët e ngushta të shtruara me kalldërm në Dragodan, në një nga lagjet më ekskluzive, janë ende të freskëta për Violand Shabanin. Vrapimi, vozitja me skateboard dhe vjedhja e mollave nga kopshtet e fqinjve sillnin zbavitje për të dhe shokët e tij.
Tregimi nga: Adrian Mehmeti
Fotografitë nga: Majlinda Hoxha
Si fëmijë, Violandi dëshironte të bëhej pilot aeroplanësh. Ndoshta, ishte pozita e shtëpisë së tij përmbi Prishtinë që i dhanë atij perspektivën e fluturuesit. Mirëpo jobarazia politike, ekonomike dhe shoqërore me të cilën ballfaqoheshin shqiptarët e Kosovës gjatë viteve 1990 bëri që imagjinata, dëshirat dhe planet e tij të mos bëhen realitet. E ardhmja e tij si pilot mbeti vetëm një ëndërr.
“Kur isha në shkollë, më së shumti më kanë pëlqyer arsimtarët e artit dhe muzikës”, thotë Violandi. “Ata më dhanë gjithë inspirimin për t’u bërë ai që jam sot”. Muzika dhe arti, si dy forca plotësuese, e kanë krijuar botën artistike të Violandit. Me profesion, ai e quan vehten një përzierje të dizajnerit grafik, skenografit dhe muzicientit. “Në fund të ditës, nuk jam asgjë më shumë se një artist, sepse, të gjitha vijnë së bashku”, thotë ai.
Violandi është ndikuar nga veprat e piktorit të njohur holandez Rembrandt dhe nga bateristi danez Lars Ulrich. “Më pëlqenin pikturimi dhe luajtja e baterive, ndoshta njëlloj”, ai thotë. “I pyeta prindërit të më blejnë bateri, dhe pyes vehten përse nuk ma kanë blerë. Tani, si i rritur, mendoj se mund të kishte qenë gjendja e keqe ekonomike e familjes sime arsyeja përse prindërit e mi dëshironin që unë të kem një profesion tjetër – ndoshta diçka më profitabile se arti apo muzika”.
Një baterist auto-didakt
Pa shpresa se do të merrë bateri në të ardhmën e afërt, Violandi e gjeti vetën në mes të dëshirave, imagjinatës dhe kreativitetit. Së fundi, vendosi t’i bëj bateritë e veta.

“I kaloja ditët duke kërkuar kova plastike të ujit të dimenzioneve të ndryshme për t’i përdorur ato si pjesë kryesore të baterive”, ai sqaroj. “Pastaj më nevojitej një zgjidhje praktike për kokat e baterive, dhe gjëja e parë që më ra ndër mend ishin filmat e rentgenit, ngjajshëm me ato të gjyshës që i gjeta në shtëpi. I morra nga këndet e mbeturinave të spitalit në Prishtinë”.
Violandi i kaloi vitet e 90-ta duke ushtruar dhe duke luajtur në bateritë që kishte bërë vetë, për orë të tëra në ftohtësinë dhe errësirën e garazhës së babait. Por, me fillimin e luftës në Kosovë më 1998, i ati e dërgoi Violandin në Stamboll për të kërkuar atje një parajsë të sigurtë. Violandi zemër thyer e la pas pasionin e tij dhe bateritë e improvizuara.
“Kur u ktheva (në Kosovë), u zemërova kur i gjeta bateritë plotësisht të shkatërruara”, ai thotë. “Gjyshi im, i cili ishte i vetmi që jetonte në shtëpinë tonë gjatë vitit 1999, më tha se ushtarët e KFOR-it i kishin shkatërruar gjatë një aksioni të pastrimit të minave. Njësitë e largimit të artilerive eksplozive të KFOR-it kanë dyshuar që instrumenti im, të cilin e kisha bërë vetë, mund të kishte materiale të rrezikshme apo eksplozive, të cilat eventualisht mund t’i dëmtonin njerëzit përreth.
“Më 1999, të gjithë filluam jetën e re në Prishtinë, dhe unë më në fund bleva bateri të vërteta. Ishin ato bateri Amati, të njohura si bateri për fillestar. Edhe se ishin mjaftë të lira në krahasim me bateritë tjera në treg, më shërbyen mjaft mirë për të zotëruar luajtjen në bateri”, thotë Violandi, i cili shpejtë është bërë bateristi më i kërkuar i Kosovës.
Teknika e tij përparimtare e luajtjes, e kombinuar me mënyrën në të cilën lëviz, kërcen dhe eksciton publikun gjatë performancave live ishin të gjitha që i nevojiteshin muzicientit të ri për t’u bërë një yll i rokut në Kosovë.
Me Trojën, një yll lindi

Violandi e themeloi grupin e muzikës metal të quajtur Diadema dhe bëri muzikë me grupe të ndryshme nga Kosova. Pas disa viteve, nuk mundi t’a anashkaloj mundësinë të luaj me anëtarët e Trojës – tani grupa më e famshme e rokut në Kosovë. Si anëtari më i ri i grupës, Violandi solli ndryshime të mëdha në imazh dhe në muzikë. Gjaku i ri e formësoi Trojën, dhe tronditi të gjithë skenën e muzikës në Kosovë. Shpejt pasi që Violandi i’u bashkua Trojës, popullariteti i këtij grupi arriti lartësi të reja të famës të shoqëruara me çmime për muzikën dhe video klipet e tyre.
Tingulli i Trojës i ka ndryshuar ndjenjat e Kosovarëve për muzikën metal, të cilën shumë e shihnin si të zhurmshme dhe shkatërruese. Me vendosjen e grupës në maje te listave të thuajse çdo radio the televizioni me këngë si “Amaneti i Clownit” dhe “Mbretëresha Kohë”, baza e adhuruesve të tyre është shtrirë përtej kosovarëve tek shqiptarët e regjionit. Popullariteti i Trojës eksplodoi falë Internetit pasi që me mijëra njerëz e njohën grupin nëpërmes faqeve si MySpace, Facebook dhe YouTube.
“Amaneti i Clowni”, me tekst të fuqishëm që flet kundër zhvillimeve shoqërore dhe ekonomike në Kosovë, madje edhe u përdor gjatë një kampanje elektorale nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, një parti politike në opozitë.
Në maj 2010, Troja garoi në Top Fest live edition, ngjarja më e famshme muzikore në skenën shqiptare të festivaleve moderne. Votat nga shqiptarët në Ballkan dhe tjetërkah në botë i siguruan Trojës Çmimin e Grupit më të Mirë (Best Group Award).
Dhe sikurse luajtja me Trojën nuk mjaftonte, Violandi i’u bashkangjit grupës të famshme të rokut dhe metalit Tanelorn përderisa i kryente studimet për magjistraturë në skenografi në Cyrih. Ai tani i ndanë përvojat e tij të fituara jashtë, në art dhe muzikë me Kosovën.
Pavarësisht nga bota e sofistikuar perëndimore, Violandi thotë që “Skena e muzikës rok në Kosovë është mjaft e avansuar në krahasim me shumë vende rreth nesh, dhe e gjitha që i nevojitet Kosovës tani është më shumë kujdes dhe infrastrukturë për muzicientët dhe grupet, duke përfshirë këtu hapësirë për ushtrime dhe performancë”.
Violandi do të kishte dëshirë që një ditë të ketë mundësinë të luaj në të njëjtin festival me Metallica-n, ndoshta duke e përdorur organizimin e njejtë të baterive sikurse idoli i tij, bateristi Lars Ulrich. Në ndërkohë, Violandi ka një dhuratë speciale nga Ulrich.
“Suveniri më i madh që kam në shtëpi është një paqetë e plotë e shkopinjve të baterive të Ulrich-ut, të nënshkruara me laps me ngjyrë të përhershme”, thotë Violandi. “M’i dërgoi nëpërmjet një shoku i cili e njihte personalisht dhe dhe i tregoi Larsit që unë jam adhuruesi i tij më i madh”.