10.10.2010
Një ditë për mos me u marrë mësysh!
Nuk mundet kush me thanë se 10 tetori i këtij viti nuk ka qenë datë e veçantë: ata që kanë kalendar, i kanë pa tri 10-she t’rendituna njo mas tjetres që, mos t’kish qenë 2-shi qaty n’mes, kishin shërby si përshkrim shumë i mirë binar i mënyrës qysh o kah “ja grahë” teknologjija sot. Për ata që nuk e kanë vërejtë, priteni 11 nëntorin e vitit të ardhshëm: kem diçka kem.
Pa marrë parasysh tripin e prishun binar, 2-shi n’këtë datë nuk ka mujtë me e dobësu rolin e teknologjisë n’paraqitjen e ndodhive që kanë zanë vend gjatë kësaj dite n’krejt botën. ‘One Day on Earth’, projekt i cili ka për qëllim krijimin e një eventi medial ku mijëra përfaqësues të 192 shteteve do t’i filmonin dhe dokumentonin 24 orët e dates 10.10.2010 n’mënyrë që zanet e ndryshme t’botës me jehu bashkë e n’harmoni, e përfshiu edhe Kosovën. Me angazhimin e Kosovo 2.0, Kosova u bë pjesë e këtij projekti botnor me një video i cili e paraqet nji pasuni t’harrume në nji prej katundeve të Kosovës.
Me syrin e Yll Çitakut dhe nën rrënqethjet që t’i zgjon muzika e Armend Xhaferrit, ne vendosëm me e dokumentu nji traditë të vjetër të Tërbeshëve të Kosovës që jetojnë në Lubinë të Ulët, katund rrëze maleve të Sharrit e shumë afër Prizrenit. ‘Nusja jonë’ titullohet kanga e cila e shoqëron video dokumentarin me të njëjtim emër, për traditën mahnitëse të zbukurimit të nuseve ashtu si dijnë vetëm Tërbeshët: çdo vajze në ditën e saj të martesës i pikturohet fytyra dhe i vendosen veshje e zbukurime tradicionale në mënyrë që të parandalohet syri i keq.
Me zell e me një pikëllim në fytyrë, Zoja Adile vazhdon me punën komplekse të zbukurimit të cilën e bën çdo verë për nuset e katundit. Si bartësja e fundit e kësaj tradite të bukur, mërzia e saj vjen prej drojës se ky art ka me u shu bashkë me të. N’fakt, me e kqyrë ‘holl e holl’, ka arsye me u ndi e pikëllume: me 10.10.2010, dizajnet e tilla bohen me Photoshop!
--Nita Deda