Çka e ku

Archive
2012

Maj (6) Prill (8) Mars (7) Shkurt (6) Janar (4) older...

Recent

 

My Sound of 2012

By: Fatmir Abdyli

Tash një vit pata shkruar për muzikantët e përzgjedhur nga BBC Sound of… që favorizoheshin për sukses gjatë vitit 2011. Diçka nga ajo që pëlqeva atëkohë u përhap mjaft mirë gjatë vitit pasues. Jessie J, Clare Maguire, The Naked And Famous, The Vaccines, James Blake, Wretch 32 janë disa nga ata që patën një vit mjaft të bujshëm.

Të njëjtën po provoj edhe kësaj here, veçse në këtë blog po jap një Top5-she nga e cila pres shumë gjatë vitit 2012: 

1. Frank Ocean është i pari. Vetëm në bazë të këngës “Swim Good” vërtetë besoj se ka ende për të dhënë. Nuk kam shumë të shkruaj për të dhe pse është zgjedhja ime. Më është ngulitur në kokë që nga hera e parë që e dëgjova. Kjo më bën të them fuqishëm se ky artist mund të jetë një prej figurave kryesore gjatë vitit 2012. Ka shumë interpretime për tekstin e këngës. Disa mendojnë se bënë fjalë për vetëvrasjen. Unë e lexoj krejt të kundërtën: një tentim për t’u zhveshur nga e kaluara dhe për t’u gjuajtur drejt së ardhmes.

2. Duke u munduar të ‘notoj mirë’ po kaloj tek një emër tjetër që për shumëkë tashmë është e njohur. Lana Del Rey. Një nga ato që duket se nuk i mungon asgjë. Pamja dhe zëri i saj më kujtojnë dokumentarë që cilën flasin për muzikën e “moçme” dhe filmat si “New York, New York”.

Mendoj se i ka të gjitha dhe këtë e ka treguar, sidomos me “Born to Die.” Përveç këngës, videoja e saj më thotë shumë. Lana përfundimisht është depërtuese dhe e fuqishme. Megjithatë, në këtë video është një moment (1:17) ku Lana len përshtypjen e një vajze konfuze, të pasigurt dhe lehtë të thyeshme.

Si të gjithë ne, ajo ka lindur për të vdekur, por Lana është e veçantë pasi rrugës po sjell kënaqësi.

3. Shumë afër Lana-s qëndron skandinavja Malin Dahlström. Bashkë me Gustaf Karlöf, ajo performon nën emrin Niki And The Dove. Më tërhoqi qysh kur dëgjova këngën “DJ Ease My Mind” muaj më parë. Duke përzier elektronikën me zërin e saj që i shkon pop-muzikës kjo dyshe besoj se premton mjaft shumë. Është e shpeshtë që muzikantët nga vendet skandinave të mos kenë një shtrirje/famë në gjithë botën, megjithatë për ata që janë të afërt me muzikën e grupeve si Röyksopp, The Knife … mendoj se duhet të shtojnë në listë edhe Niki And The Dove.

4. Parashikimi tjetër i shijes sime është grupi Friends. Janë pesë anëtarë që vijnë nga Brooklyn dhe nën këtë emër lansuan singlin “I’m His Girl” i cili më bëri t’i fus në këtë blog. Ata janë pjesë e Top50 artistëve të 2011-ës sipas revistës NME. Zhanrin e tyre e përshkruajnë si “pop të çuditshëm” (weird pop). Ndoshta është herët për t’i favorizuar por pas një singli kaq të kapshëm vërtetë pres edhe këngë të tjera të tilla.

5. Po e plotësoj listën me një grup nga i cili pres me padurim lansimin e albumit debutues. Modern Faces janë pesëshja skoceze që shihen si “ruajtësit e rock’n’roll-it” britanik. Lideri i grupit të kujton kopjen e Liam Gallagher dhe ata pranojnë se kanë nisur gjithçka pas influencës së madhe nga Oasis, The Stone Roses dhe The Verve. E shijoj në maksimum muzikën e tyre që nga momenti kur i njoha përmes gazetave britanike. Kjo ndodhi gjatë muajit korrik kur ata mbështetën një perfromancë të Kasabian. Gjatë këtij viti pres që Modern Faces të dhurojnë shumë dhe shpresoj të mos bëhen një nga ato grupet që shuhen në hapat e formimit, por të provojnë atë çka është parashikuar për ta: fytyra e re e rock’n’rollit.

Gjithashtu nga 2012: Rikthimi i Stone Roses; Coldplay të lumtur dhe të ndritshëm më shumë se kurrë; albumi debutues nga Emeli Sande ...

Ilustrimi: Oh Yeah Studio

 

Write a Comment

art