
Çka premtojnë kandidatët për Prishtinën?
Një lexim i programeve të kandidatëve/eve për kryetar/e.
|2025.10.06
|
Në kërkim të një mandati të dytë, Rama hyri në garën për kryeqytetin me vizionin e tij “Prishtina Përtej”, që sipas chatbotit që shfaqet në platformën e krijuar për t’i shfaqur projektet gjatë mandatit të tij të parë, nënkupton një vizion “që shkon përtej kufijve të zakonshëm dhe të pritshëm për zhvillimin e një qyteti”. Bazuar në fushatën e tij, Rama sheh veten si arkitektin që e formëson qytetin dhe këtë herë kërkon ta përfundojë vizatimin që e ka nisur në mandatin e parë. Gjysma e programit të tij zgjedhor përbëhet prej projekteve që, sipas tij, i ka zbatuar në mandatin e parë.
Programi për mobilitetin parasheh pozicionimin e transportit publik si alternativën më tërheqëse për qytetarë deri në vitin 2030. Rama premton përfundimin e unazës së jashtme të kryeqytetit me shtatë hyrje-dalje, duke shmangur qarkullimin tranzit dhe duke ndërlidhur lagjet pa e ngarkuar qendrën. Në qendër të programit është “TRIP” (Transporti i Ri i Prishtinës), që Rama premton se në vitin 2026 do të ofrojë një flotë moderne të autobusëve tërësisht elektrikë për çdo gjashtë minuta në linjat kryesore. Ky sistem premton të plotësohet nga “TRIM” (Transporti i Ri Metropolitan), një autoritet ndërkomunal që do ta lidhë Prishtinën me Podujevën, Obiliqin, Lipjanin e Graçanicën, duke ofruar biletë të veçantë, bileta në bazë të zonave dhe flotë të autobusëve elektrikë. Po ashtu, Rama premton funksionalizimin e tramit elektrik Prishtinë–Fushë Kosovë.
Për shëndetësinë, Rama premton një transformim rrënjësor të shërbimeve publike, duke ndërtuar dhe rinovuar infrastrukturë moderne dhe duke zgjeruar gamën e shërbimeve. Parashihet gjithashtu edhe ndërtimi i spitalit të kryeqytetit me 200 shtretër, i dedikuar vetëm për banorët e Prishtinës, që do të ofrojë shërbime specialistike dhe do ta ulë mbingarkesën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Plani për arsimin vendos theksin tek mësimi tërëditor, që për momentin zbatohet në 12 shkolla me rreth 5.000 nxënës, duke ofruar ushqim të ngrohtë e falas, aktivitete jashtëkurrikulare dhe një mjedis të sigurt. Në katër vitet e ardhshme synohet që ky standard të shtrihet në të gjitha shkollat fillore të kryeqytetit. Rama premton se Prishtina do të ketë për herë të parë një lice artistik, që ofron arsim të specializuar në artin dramatik, muzikë dhe arte pamore për fëmijët e talentuar.
Për kulturën, rininë dhe sportin, Rama premton ta kthejë Prishtinën në një qendër dinamike e kreative. Ai premton rikonstruktimin e plotë të infrastrukturës kulturore, përfshirë Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve, Teatrin “Dodona” dhe Kinemanë “ABC”, si dhe transformimin e Tulltores në një qendër Art-Tech. Programi parasheh krijimin e qendrave të reja kulturore në lagjet si “Dardani”, “Llukar” e “Ulpianë”. Rama premton mbështetje për skenën e pavarur përmes fondeve për artistë dhe festivale, duke garantuar organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare si Sunny Hill Festival dhe Ramë Lahaj International Opera Festival, që do ta pozicionojnë Prishtinën në hartën botërore të kulturës. Në sport, programi përfshin ndërtimin e stadiumit të ri në Hajvali, tribuna të reja për klubet e futbollit si “Flamurtari” dhe “Ramiz Sadiku”, si dhe rinovimin e 22 terreneve sportive nëpër shkolla e lagje, duke siguruar që secila shkollë të ketë hapësirë për aktivitete fizike.
Në fund, programi i Ramës premton një kryeqytet vizionar, dinamik, digjital, të ndërlidhur mirë me fshatrat përreth, me komunat përreth, përmes ndërtimit të një unaze të brendshme për qarkullimin urban dhe një unaze të madhe për trafikun tranzit.

Uran Haxha
Uran Haxha është gazetar në K2.0 dhe autor i emisionit “Pak ma Drejt” në Paper Radio. Ka punuar në disa prej medieve vendore, ku ka mbuluar temat nga sektori i ekonomisë dhe reportazhe nga qoshet e Kosovës. Ka studiuar për marketing dhe menaxhment.
Ky artikull fillimisht është shkruar në shqip.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në "HIVE" ose konsideroni një donacion.