
Ish-udhëheqësit e UÇK-së shpallen fajtorë për krime lufte
Përtej aktgjykimit: K2.0 shpjegon rastin ndaj katërshes dhe historinë e drejtësisë për krimet e luftës në Kosovë.
Për çfarë akuzoheshin; për çfarë u shpallën fajtorë dhe nga cilat akuza u liruan?
Në aktakuzë pretendohej se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi mbanin përgjegjësi individuale për krime të kryera nga së paku marsi i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999, në disa zona të Kosovës, si dhe në Kukës e Cahan të Shqipërisë. Aktakuza rendiste 102 persona si viktima të pretenduara të vrasjes ndërsa 20 prej tyre edhe si viktima të pretenduara të zhdukjes me forcë.
Sipas aktakuzës, të katërt ishin anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK dhe mbanin poste të larta gjatë periudhës përkatëse. Thaçi mbante role drejtuese politike, Veseli drejtonte shërbimin e inteligjencës, Selimi mbante funksione operative, ndërsa Krasniqi ishte zëdhënës dhe anëtar i Drejtorisë Politike.
Një nga bazat kryesore të aktakuzës ishte pretendimi i Prokurorisë se ata ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, pavarësisht se ajo nuk ishte njëra prej dhjetë pikave të aktakuzës. Termi “Ndërmarrje e përbashkët kriminale” ishte një nga format juridike përmes së cilave Prokuroria kërkonte t’ua atribuonte të katërve përgjegjësinë për krimet, pa pretenduar domosdoshmërisht se secili prej tyre kishte kryer personalisht çdo akt.
Sipas këtij pretendimi, synimi i përbashkët ishte vendosja dhe ushtrimi i kontrollit në të gjithë Kosovën përmes frikësimit, keqtrajtimit, dhunës dhe largimit të personave që konsideroheshin kundërshtarë. Në këtë kategori, sipas aktakuzës, përfshiheshin personat që dyshoheshin se ishin bashkëpunëtorë të forcave jugosllave ose serbe, si dhe ata që perceptoheshin se nuk i mbështesnin synimet ose metodat e UÇK. Mes tyre kishte shqiptarë, përfshirë persona të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), si dhe serbë, romë dhe pjesëtarë të komuniteteve të tjera.
Në kuadër të gjashtë pikave për krime kundër njerëzimit përfshiheshin: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë. Ata u shpallën të pafajshëm në të gjitha pikat për krime kundër njerëzimit, pasi Prokuroria nuk arriti të dëshmonte jashtë dyshimit të arsyeshëm se krimet ishin pjesë e një sulmi të përhapur ose sistematik kundër një popullate civile.
Ndërsa katër pikat për krime lufte për të cilat u dënuan përfshinin: arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Gjykata i shpalli të pafajshëm edhe për disa incidente të veçanta të krimeve të luftës që nuk u vërtetuan, ishin përfshirë në akuza më konkrete ose nuk hynin në juridiksionin e saj.
Aktakuza kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit ishte konfirmuar në tetor të vitit 2020 dhe bërë publike në nëntor të atij viti. Në fillim të atij muaji, ata ishin dorëzuar dhe transferuar në Hagë. Të katërt ishin deklaruar të pafajshëm.

Hashim Thaçi
Në periudhën e aktakuzës për të cilën akuzohet nga Dhomat e Specializuara, ka qenë drejtor i drejtorisë politike të UÇK. Pas luftës, si udhëheqës i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Thaçi mbajti poste të ndryshme, përfshirë atë të kryeministrit, ministrit të Punëve të Jashtme, si dhe, atë të presidentit të vendit. Në vitin 2020, Thaçi dha dorëheqje nga pozita e presidentit pas konfirmimit të aktakuzës nga Dhomat e Specializuara.

Kadri Veseli
Në periudhën e aktakuzës ka qenë anëtar i drejtorisë politike të UÇK dhe shef i shërbimit të zbulimit. Pas Thaçit, Veseli mori drejtimin e PDK dhe në periudhën 2014-2019 ishte kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Rexhep Selimi
Në periudhën e aktakuzës ka qenë shef i drejtorisë operative në UÇK. Më pas, inspektor i përgjithshëm në UÇK, kurse në mars 1999, u emërua ministër i punëve të brendshme. Selimi menjëherë pas luftës kishte qenë pjesë e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), kurse më pas, për disa legjislatura, deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Jakup Krasniqi
Në periudhën e aktakuzës ka qenë anëtar i drejtorisë politike të UÇK dhe më pas edhe zëdhënës. Më vonë, në vitin 1998, ishte emëruar edhe zëvendës komandant i UÇK. Në periudhën 2007-2014, Krasniqi ishte kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Lexo gjithashtu:

Pikëpamje
Një muze i humanitetit, një funeral për urrejtjen dhe boshllëku i “vlerave evropiane”
Nidzara AhmetasevicNdonëse Tribunali gjykonte individë, jo shtete, ushtri, parti politike apo grupe etnike, kjo nuk do të thotë se aktgjykimet e tij nuk përshkruanin veprime të organizuara të institucioneve, ushtrive dhe strukturave shtetërore. Në shumë raste, tribunali konstatoi se krimet nuk ishin incidente spontane, por pjesë e politikave, operacioneve ose fushatave të bashkërenduara. Të pandehurit ishin persona konkretë: udhëheqës politikë, ministra, shefa shtabi, komandantë ushtarakë e policorë, drejtues kampesh, rojë ose kryerës të drejtpërdrejtë të veprave.
Megjithatë, Tribunali i Hagës nuk ishte “gjykatë për Serbinë”, “gjykatë për Bosnjën” apo “gjykatë për Kosovën”. Edhe kur konstatohej se krimet ishin pjesë e një fushate shtetërore ose e një operacioni të organizuar, përgjegjësia duhej t’i atribuohej individualisht secilit të akuzuar.
Në përgjithësi, tribunali ngriti aktakuza ndaj 161 personave, ku 93 prej tyre u dënuan, 18 u liruan dhe 13 raste u transferuan për gjykim në juridiksionet kombëtare.
Ndër to, ishin edhe aktakuzat që Tribunali i lëshoi ndaj nëntë zyrtarëve të lartë jugosllavë dhe serbë për krimet e kryera në Kosovë nga forcat e Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) dhe Serbisë. Aktakuzat përfshinin krime kundër njerëzimit, si deportim, transferim të dhunshëm, vrasje dhe përndjekje, si dhe vrasje në kundërshtim me ligjet ose zakonet e luftës. Gjashtë prej tyre u dënuan përfundimisht.
Procesi kryesor ishte rasti i njohur si “Šainović dhe të tjerët”, në të cilin Nikola Šainović, asokohe zëvendëskryeministër i RFJ dhe bashkëpunëtor i afërt i Slobodan Milošević, u dënua fillimisht me 22 vjet, por në apel dënimi përfundimtar iu ul në 18 vjet burgim për deportim, transferim të dhunshëm, vrasje dhe përndjekje. Ndërkaq, Milan Milutinović, atëherë president i Serbisë, u lirua nga të gjitha akuzat.
Megjithatë, bilanci i personave të dënuar mbeti i vogël krahasuar me përmasat e krimeve. Sipas një analize të Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) në Beograd, deri më 30 nëntor të vitit 2024, Prokuroria serbe kishte akuzuar gjithsej 59 persona për krimet e kryera në Kosovë. Prej tyre, 13 ishin dënuar përfundimisht dhe 25 ishin liruar. Shifrat përfshijnë të akuzuar nga të dyja palët e konfliktit, jo vetëm pjesëtarë të forcave serbe.
Sipas vlerësimeve të FDH, gjatë luftës u vranë së paku 8.000 civilë shqiptarë. Pavarësisht kësaj, në të gjitha proceset e përfunduara në Serbi, përgjegjësia penale u përcaktua për krime që përfshinin vrasjen e vetëm 77 civilëve shqiptarë.
Kritika tjetër ndaj mënyrës se si u zhvilluan proceset është se gjykimet u përqendruan kryesisht te autorët e drejtpërdrejtë dhe pjesëtarët e niveleve më të ulëta. Zinxhiri komandues, organizimi i operacioneve dhe roli i zyrtarëve të lartë nuk u trajtuan në mënyrë të plotë. Dënimet ndaj figurave të larta politike, ushtarake dhe policore për fushatën kundër shqiptarëve të Kosovës u shqiptuan kryesisht nga Tribunali i Hagës, jo nga gjykatat e Serbisë.
Një boshllëk veçanërisht i madh ka të bëjë edhe me çështjen e fshehjes së trupave të viktimave. Mbetjet mortore të qindra shqiptarëve të Kosovës u gjetën në varreza masive në Serbi, përfshirë në Batajnica, Petrovo Selo, Perućac, Rudnica dhe Kizhevak. Megjithatë, nuk është ngritur aktakuzë në Serbi për organizimin e operacionit të transportimit dhe fshehjes së trupave.
Fondi po ashtu konstatoi se, gjatë dhjetëvjeçarit 2014–2024, Prokuroria e Serbisë nuk ngriti aktakuzë të re – të dalë nga një hetim i ri – për krime kundër shqiptarëve të Kosovës. Por gjatë së njëjtës periudhë, ngriti nëntë aktakuza kundër nëntë shqiptarëve të Kosovës, të arrestuar në Serbi, për krime të pretenduara ndaj serbëve.
Çka bëri UNMIK në Kosovë?
Pas luftës, sistemi gjyqësor i Kosovës ishte pothuajse i rrënuar. Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, i njohur si UNMIK, i cili kishte autoritet mbi administrimin e drejtësisë, në vitin 2000 nisi t’i përfshinte gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombëtarë në gjykatat e Kosovës, ku u trajtuan raste të krimeve të luftës dhe dhunës së pasluftës kundër të akuzuarve shqiptarë dhe serbë.
Megjithatë procesi la të pazgjidhura një numër të madh. Në vitin 2008, Amnesty International e cilësoi programin e UNMIK si të dështuar në përfundimin e mosndëshkimit. Organizata evidentoi hetime të vonuara ose të papërfunduara, prova që nuk ishin mbledhur me kohë, mungesë të mbrojtjes së dëshmitarëve dhe pak përparim në ngritjen e kapaciteteve vendore. Sipas Amnesty, krimet e dhunës seksuale u lanë pothuajse tërësisht jashtë ndjekjes penale.
Çka ndryshoi me ardhjen e EULEX?
Misioni i BE për Sundimin e Ligjit në Kosovë, i njohur si EULEX, erdhi në vitin 2008 dhe mori përsipër një pjesë të përgjegjësive të UNMIK. Ai nuk ishte tribunal i veçantë, pasi gjyqtarët dhe prokurorët e tij punonin brenda sistemit të Kosovës, shpesh në panele të përziera me gjyqtarë vendorë.
Misioni trashëgoi rreth 1.200 raste të dyshuara të krimeve të luftës, të cilat UNMIK nuk i kishte hetuar. Në vitin 2012, Amnesty International tha se EULEX nuk po u jepte përparësinë e nevojshme këtyre rasteve dhe se kapaciteti hetimor i njësisë së tij mjaftonte për vetëm dy ose tri raste në vit.
Sipas vetë misionit, nga viti 2008 deri në mars të vitit 2017, vetëm 38 raste të krimeve të luftës ishin çuar nga hetimi deri në fazën përfundimtare gjyqësore. Por ky ritëm nuk ishte i mjaftueshëm për ta mbuluar numrin e dosjeve të trashëguara.
Në qershor të vitit 2018, përfundoi mandati ekzekutiv i EULEX në drejtësi. Hetimet, aktakuzat dhe gjykimet e mbetura kaluan nën përgjegjësinë ekskluzive të institucioneve të Kosovës, ndërsa misioni vazhdoi kryesisht me monitorim dhe këshillim.
Sipas analizës së FDH në Kosovë, prokurorët e UNMIK ngritën 10 aktakuza për krime lufte ndaj 23 personave, prej tyre 19 shqiptarë, tre serbë dhe një malazez. Ndërkaq, prokurorët e EULEX ngritën 22 aktakuza ndaj 52 personave prej tyre 39 shqiptarë, 11 serbë, një malazez dhe një personi të klasifikuar në kategorinë e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë.
FDH evidentoi gjithsej 39 persona të dënuar përfundimisht: 38 me vendime të dhëna nën kompetencën e gjyqtarëve të EULEX dhe një nga gjyqtarët e UNMIK. Në mesin e tyre 34 ishin shqiptarë, katër serbë dhe një malazez.
Një shpjegim i pjesshëm pse numri i serbëve të dënuar ishte shumë më i vogël ndërlidhet me fakti se shumë të akuzuar nuk u sollën asnjëherë para gjykatave të Kosovës. Nga 44 serbët e akuzuar gjatë gjithë periudhës 1999–2018, 24 figuronin në arrati; 13 ishin liruar; katër ishin dënuar dhe tre kishin procese ende të papërfunduara.
Po gjykatat e Kosovës?
Gjykatat dhe prokurorët vendorë trashëguan dosje të vjetra, prova të paplota dhe raste në të cilat të dyshuarit jetonin jashtë Kosovës. Mungesa e bashkëpunimit juridik me Serbinë e vështirësoi sigurimin e provave, dokumenteve, marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe sjelljen e të akuzuarve para gjykatës.
Megjithatë, numri i procedurave është rritur. Sipas FDH në Kosovë, gjatë vitit 2024 procedura penale ishin në faza të ndryshme në 34 raste kundër 98 pjesëtarëve të forcave serbe dhe në një rast kundër dy ish-pjesëtarëve të UÇK. Këtu përfshiheshin 14 aktakuza në mungesë kundër 72 pjesëtarëve të forcave serbe.
Gjykimet në mungesë u mundësojnë institucioneve të Kosovës të procedojnë kur të akuzuarit nuk mund të kapen. Por ato ngrisin edhe shqetësime për të drejtën e mbrojtjes dhe zbatimin e vendimeve, veçanërisht nëse Serbia nuk i dorëzon personat e dënuar.
Përtej gjykimit: një mosbesim më i thellë
Ndërsa Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara po i dënonte të katër ish-udhëheqësit e UÇK, në Kosovë nisi menjëherë kundërshtimi i vendimit. “Jo në emrin tim”, ishte reagimi që nisi të qarkullonte brenda minutash nëpër rrjetet sociale, një vazhdim i qëndrimit që një pjesë e qytetarëve e kanë mbajtur ndaj kësaj gjykate që nga fillimi.
Kundërshtimi ndaj DHSK nuk ka qenë asnjëherë vetëm çështje e qëndrimeve të shprehura në media apo deklarata partiake. Përjatë viteve ky kundërshtim është shprehur edhe përmes mobilizimit të vazhdueshëm publik, nga protestat e organizatave të veteranëve e deri te aksione simbolike në hapësirën publike.
Muajt e fundit ky mobilizim është intensifikuar rreth platformës “Liria ka Emër”, e cila në fund të gushtit vendosi “Orën e Pritjes” në Prishtinë dhe në komuna të tjera në Kosovë, duke shënuar kështu kohën që mbetej deri në orën 10:00 të 16 shtatorit, ndërsa në zonat operative të UÇK u organizuan edhe netë përkujtimore. Kulmi i këtij mobilizimi ishte marshi i së shtunës së 12 shtatorit, kur rrugëve të Prishtinës dolën mijëra qytetarë së bashku me përfaqësues të pothuajse nga të gjitha partitë politike të vendit. Në mbrëmjen para aktgjykimit, para një ekrani të madh me portretet e katër të akuzuarve, qytetarët u mblodhën sërish në sheshin e kryeqytetit, kurse tubime mbështetëse u mbajtën edhe në Skënderaj, në Mitrovicë e në Shkup, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e diasporës kishte udhëtuar tashmë drejt Hagës.
Për një pjesë të madhe të shqiptarëve të Kosovës, vetë ekzistenca e DHSK dhe gjykimi ndaj ish-udhëheqësve të UÇK përjetohen si vazhdim i një padrejtësie të perceptuar prej kohësh, që i paraprin këtij procesi dhe ndërlidhet me mënyrën e krijimit të gjykatës, përqendrimin e ndjekjes penale dhe pritjet e papërmbushura për drejtësinë ndaj viktimave të luftës.
Ky mosbesim lidhet edhe me karakterin e perceptuar si “etnik” të Gjykatës Speciale. Për një pjesë të shqiptarëve të Kosovës, përqendrimi i proceseve te ish-pjesëtarët shqiptarë të UÇK krijon përshtypjen se një mekanizëm i posaçëm është ngritur për të kërkuar përgjegjësi vetëm nga njëra palë e luftës, ndërkohë që shumë prej krimeve të forcave serbe mbeten të pandëshkuara. Në këtë kontekst, cilësimi “etnik” shpreh perceptimin për fokusin e ndjekjes penale dhe përbërjen e bankës së të akuzuarve, ndonëse mandati ligjor i Gjykatës Speciale nuk kufizohet sipas përkatësisë etnike.
Lexo gjithashtu:

Pikëpamje
Inati për Dhomat e Specializuara duhet të pranohet — dhe të përballet
Besa LuciKëtij perceptimi i shtohet pesha simbolike e të akuzuarve. Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ishin figura drejtuese të UÇK dhe, pas luftës, mbajtën poste të rëndësishme politike e institucionale. Për shumë shqiptarë të Kosovës, ata mbeten të lidhur me luftën për çlirim nga represioni i shtetit serb. Kjo ka bërë që gjykimi i tyre të shihet edhe si gjykim i vetë luftës, duke ushqyer shqetësimin se dënimi mund ta njollosë historinë e saj ose të përdoret për t’i “barazuar” përgjegjësitë për dhunën e asaj periudhe, pavarësisht faktit se si Gjykata, ashtu edhe Prokuroria kanë theksuar se rasti nuk duhet të shihet si gjykim i vetë UÇK si organizatë.
Ky shqetësim bëhet domethënës në kontekstin e drejtësisë së papërfunduar për krimet kundër shqiptarëve të Kosovës. Tribunali i Hagës dënoi zyrtarë të lartë jugosllavë dhe serbë për krimet e luftës në Kosovë, por këto procese nuk e shteruan përgjegjësinë për krimet e kryera. Kjo bëhet e dukshme në analizën e FDH, ku evidentohet edhe relativizimi politik i përgjegjësisë për krimet e luftës. Për ata që e shohin procesin si të padrejtë, vëmendja ndërkombëtare ndaj ish-udhëheqësve të UÇK vendoset përballë këtij boshllëku të llogaridhënies. Në këtë këndvështrim, krijimi i një mekanizmi të posaçëm për pretendimet ndaj pjesëtarëve të UÇK mund të përforcojë përceptimin se drejtësia është kërkuar në mënyrë të pabarabartë për viktima të ndryshme.
Imazhi i ballinës: Ferdi Limani / K2.0

Dafina Halili
Dafina Halili është gazetare e lartë në K2.0, e cila mbulon kryesisht çështje të drejtësisë sociale dhe të drejtave të njeriut. Dafina ka kryer studimet master në drejtimin e diversitetit dhe mediave në Universitetin e Westminster në Londër, Mbretëria e Bashkuar.

Gentiana Paçarizi
Gentiana Paçarizi është gazetare dhe ka përfunduar studimet master në Gazetari dhe Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Ajo ka qenë redaktore menaxhuese në K2.0 gjatë periudhës 2022–2026.
Ky artikull fillimisht është shkruar në shqip.





