
“Në emër të popullit të Kosovës” nuk u përjetua si drejtësi
Aktgjykimet e Dhomave të Specializuara nxorën në pah një ndjenjë më të thellë humbjeje, formësuar nga krimet e pazgjidhura të luftës, llogaridhënia e kontestuar dhe dështimet politike brenda dhe jashtë vendit.
Kur transmetimi në ekranin e madh përfundoi, shumica e njerëzve u kthyen dhe u nisën drejt sheshit “Nënë Tereza” në Prishtinë, me kokat dhe flamujt e ulur, sikur ishin mposhtur tërësisht. Më vonë atë mbrëmje, disa protestues, të cilët nuk e përmbajtën dot mllefin, u mblodhën para zyrave të EULEX, duke hedhur gurë dhe gjësende në drejtim të ndërtesës, ndërsa mjetet piroteknike bënë që një pjesë e vogël e çatisë të merrte flakë; të tjerë bllokuan rrugën në njërën nga hyrjet e Prishtinës. Turma të protestuesve u mblodhën edhe para ndërtesës së qeverisë, ku disa pjesëmarrës u përpoqën t’i ndalonin protestuesit me maska dhe diskutuan se çka do të nënkuptonte, në një situatë të tillë, t’i dilje kundër qeverisë ose policisë.
Në fund të fundit, kjo gjykatë ishte votuar nga Kuvendi i Kosovës dhe ndodhej në Hagë. Si Dhomat e Specializuara të Kosovës, ashtu edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë në Hagë me gjykatës, prokurorë dhe staf ndërkombëtar. Këto protesta që pasuan mund të shihen si përpjekje për ta rimarrë një pjesë të kontrollit pas një dite tejet emocionale. Por aktgjykimi mbetet.
Dhe protestat nuk përfunduan atë ditë.
Përtej ndjenjës se drejtësia ka harruar viktimat e panumërta kosovare, ekziston një ndjenjë më e gjerë humbjeje që është mbledhur te qytetarët prej vitesh.
Qytetarët e Kosovës nuk e harrojnë çmimin që kanë paguar për ta pasur një shtet.

Lura Pollozhani
Lura Pollozhani është studiuese në Universitetin e Grazit, që hulumton lëvizjet sociale në Ballkanin Perëndimor si dhe zgjerimin e BE. Interesat e tjera kërkimore përfshijnë gjeneratën Z, radikalizimin, praktikat e qytetarisë në shoqëritë e ndara dhe demokratizimin. Ka përfunduar studimet e doktoraturës në Drejtësi dhe Politikë në Universitetin e Grazit, ndërsa mban titullin MSc në Studime Evropiane: Ide dhe Identitete në LSE.
SHËNIMPikëpamjet e shkrimtarit/es nuk pasqyrojnë domosdo ato të Kosovo 2.0.
Ky artikull fillimisht është shkruar në anglisht.















