
Në mbrojtje të zemërimit të Gjeneratës Z: Pse kanë rëndësi protestat në Shqipëri?
Nga pabarazia në rritje te mundësitë gjithnjë e më të pakta, të rinjtë shqiptarë kërkojnë të ardhme dinjitoze.
T’i dëgjosh studentët në Shqipëri teksa flasin për vështirësitë e tyre, tregon se kushdo që i dëgjon nuk i merr parasysh faktet.
Kërkesat për mundësi më të mira punësimi, kushte më të mira jetese dhe arsim më cilësor përputhen me vështirësitë reale me të cilat përballen të rinjtë në Shqipëri dhe që do të vazhdojnë t’ua vështirësojnë jetën në vend. Të shohësh shqetësimin emocional të studentëve dhe gatishmërinë e tyre për të vazhduar të protestojnë në rrugë, pavarësisht përdorimit joproporcional të forcës nga policia, tregon se sa thellë i prekin këto çështje.
Pyes veten se sa arrogantë duhet të jenë udhëheqësit, apo sa të pasura duhet të jenë rrethet e tyre, që të mos e njohin gjendjen e vështirë të të rinjve si krizë. Më preku kur pashë një intervistë me një vajzë të re që protestonte në Shqipëri, e cila shpjegonte arsyet pse i ishte bashkuar protestës. Ajo tha se nuk i kishte mbetur askush nga familja në Shqipëri, pasi të gjithë kishin emigruar. Ajo kishte zgjedhur të qëndronte, por nuk shihte asnjë perspektivë. Ajo nuk është e vetmja që ndihet kështu.
Pavarësisht të dhënave për pabarazinë dhe gjendjen e të rinjve, strategjia e udhëheqësve në rajon, përfshirë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ka qenë disi që t’i bëjnë të rinjtë të ndihen fajtorë pse po largohen. Krijimi i një narrative sipas së cilës të rinjtë nuk qëndrojnë sepse, gjoja se, diçka nuk është në rregull me ta, është thellësisht i padrejtë. Në vend që faji të vendoset aty ku duhet – te institucionet dhe politikat e keqplanifikuara – kjo narrativë ua hedh fajin pikërisht atyre që vuajnë pasojat. Pse të mos jetë e zemëruar Gjenerata Z?
Mbrojtja e demokracisë
Ka pasur shumë reagime ndaj protestave dhe dhunës që i ka shoqëruar ato. Këtu do ta veçoja reagimin e dhunshëm të policisë, i cili ka qenë joproporcional dhe ka munguar dukshëm llogaridhënia, përfshirë por pa u kufizuar, në përdorimin e gazit lotsjellës, topave të ujit dhe plumbave të gomës nga policia kundër protestuesve, përfshirë edhe ndaj të miturve.
Megjithatë, mendoj se në mënyrën se si po gjykohen protestat fshihet një ndjenjë më e thellë – mungesa e pranimit dhe mirëkuptimit, e ndoshta edhe një parehati përballë zemërimit të Gjeneratës Z.
Një nga ndjenjat që kam pasur lidhur me Gjeneratën Z është se i kemi zhgënjyer. Të gjithë kemi kontribuar që t’ua lëmë një shtet ku kanë pak hapësirë për të vepruar. Si pjesëtare e gjeneratës së mijëvjeçarëve, që protestojmë dhe kemi protestuar edhe vetë, mendoj se jemi pajtuar me kushte pune që edhe ne i konsiderojmë të papranueshme, por që disi i kemi pranuar. Gjenerata Z e ka parë vuajtjen që puna e tepërt, pagat e ulëta, nevoja për t’u orientuar mes lidhjeve me partitë politike dhe mungesa e sigurisë ua kanë shkaktuar familjeve të tyre dhe, me të drejtë, nuk dëshiron të njëjtën gjë. E kur ti i shpreh këto shqetësime dhe në vend që të të dëgjojnë, tallen me ty, zemërimi duket reagim krejtësisht logjik.
Protestat e udhëhequra nga të rinjtë në Shqipëri, por edhe në vende të tjera të rajonit, janë shenja të forta për të ardhmen e demokracive tona. Njerëzit duhet të jenë në gjendje t’i shprehin shqetësimet e tyre; kjo është prerogativë dhe e drejtë e jona si qytetarë.
Një forcë policore me një dozë shtesë steroidesh prej 2.500 eurosh, nëse mund të shprehemi kështu, është veprim i rrezikshëm jo vetëm kundër protestuesve, por edhe kundër demokracisë.
Protestat në Shqipëri më dhanë shpresë se ende jemi në gjendje të bërtasim kur shpërthen një zjarr që na rrezikon të gjithëve, në mënyra të ndryshme.

Lura Pollozhani
Lura Pollozhani është studiuese në Universitetin e Grazit, që hulumton lëvizjet sociale në Ballkanin Perëndimor si dhe zgjerimin e BE. Interesat e tjera kërkimore përfshijnë gjeneratën Z, radikalizimin, praktikat e qytetarisë në shoqëritë e ndara dhe demokratizimin. Ka përfunduar studimet e doktoraturës në Drejtësi dhe Politikë në Universitetin e Grazit, ndërsa mban titullin MSc në Studime Evropiane: Ide dhe Identitete në LSE.
SHËNIMPikëpamjet e shkrimtarit/es nuk pasqyrojnë domosdo ato të Kosovo 2.0.
