
Një vështrim garës kombëtare të Dokufestit
Katër filmbërësa/e kosovarë/e flasin për artin e tyre.
|05.08.2024
|

Jam aktore. Aktrimin e kam filluar në vitin 1992, kur isha në vitin e dytë të studimeve universitare. Ishte kohë e çuditshme. Për shkak se nuk mund të studionim në shkollë, duhej të gjenim zgjidhje të tjera. E kemi pasur mundësinë që ligjëratat tona kryesore të aktrimit t’i mbanim në teatrin “Dodona”. S’ishte aq keq, sepse ndodheshim në skenë që nga fillimi.
Kur të pëlqen gjithçka, aktrimi është zgjedhja më e mirë. Një ditë do do të jesh avokate, tjetrën amvise. Më duket bukur të ndryshosh, ta kesh aftësinë për ta ndryshuar veten. Kjo është njëra nga gjërat që gjithmonë më bëri të ndihem se nuk përkas askund. Ndoshta kam zgjedhur aktrimin për shkak të kësaj.
Kosova ka shumë shprehi për t’i ndryshuar. Si komb priremi ta humbasim identitetin tonë në çdo gjë të huaj.
Diçka e re po fillon, diçka e re po ndodh. Dhe për të filluar diçka, duhet ta braktisësh të vjetrën.

Kam qenë dhe ende e konsideroj veten si fotograf. Për mua gjithçka nisi me fotografinë. Kam mbajtur me vete një aparat të vogël që kur isha fëmijë — kam shkrepur fotografi familjes sime, shoqërisë dhe pastaj, u përpoqa të krijoj disa tregime përmes tyre, duke nisur diku, kah shkolla e mesme. Por gjatë këtij procesi, e kuptova se disa ide që kisha, nuk realizoheshin me fotografi. Kështu që u detyrova ta gjeja një format të ri — kinemanë. S’kam qenë kurrë adhurues i kinemasë apo diçka tjetër, kjo erdhi natyrshëm nga fotografia. Erdhi më shumë si nevojë, si një mjet. Më pas studiova në Akademinë e Filmit në Sarajevë dhe pastaj e prodhova këtë film si temë të diplomës “Sea by the River and River by the Sea”, i cili ishte pjesë e disa festivaleve. Dhe pastaj erdhi “Fran dhe Verka”.
Po krijojmë një shoqëri me mozaikë të zbrazët — me vetëm disa copëza.

Jam lindur në Kosovë. Familja ime ka shkuar në Zvicër për shkak të babait tim. Ishte politikisht aktiv dhe u burgos për aktivizmin e tij — u detyruam të iknim teksa tensionet u rritën në vitet e ’90-a. Dhe pastaj e pata një jetë klasike prej migranti në Zvicër.
Gjersa po mësoja për teknologjinë informative në Zvicër, e kuptova se më pëlqen shumë dizajni. Më pëlqejnë gjërat vizuale, drita. Por për një kohë shumë të gjatë, s’e dija se mund të studioje për film. Kam menduar se vetëm njerëzit e privilegjuar mund të bënin filma — njerëzit e pasur. Kurrë nuk e shihja veten aty sepse mendova se nuk ishte e mundur — derisa mësova se mund ta studiosh atë. Dhe ky u bë qëllimi im.
Të qenit migrant më bëri shumë më vetëkritik, por gjithashtu më bëri shumë më reflektues për botën dhe migrimin, Perëndimin, racizmin, të gjitha këto gjëra me të cilat nuk do të merresha po të mos e kisha domosdoshmëri.
S’mund të ekzistoj pa shpresë. Dhe kështu përpiqem ta bëj atë që mundem dhe ta bëj me pasion dhe shpresë se gjërat tjera do të vijnë.

Jam regjisore, shkrimtare, producente dhe, shumicën e kohës, montazhere. Filmat e mi i bëj vetë, sepse janë përzierje mes dokumentarit dhe trillimit, ndaj më pëlqen të përfshihem në të gjitha fazat. Filmi im i parë i metrazhit të gjatë, “Në kërkim të Venerës” më ka ndërtuar shumë më shumë se filmat e mi të shkurtër të mëparshëm. Tash e kam filmin e shkurtër “Si e verdhë e sëmurë”. Shumë njerëzve iu duk pak e çuditshme që krijova një film të shkurtër pas një filmi artistik. Por mendova se ishte shumë e rëndësishme — historia duhet të tregohet.
Jam lindur në Kosovë. Kam jetuar në Danimarkë dhe pastaj në Pragë për një kohë të gjatë.
Themi se ky është realiteti im. Por në një familje të madhe, realiteti i secilit është shumë i ndryshëm.

Emily Soreghan
Emily Soreghan është shkrimtare nga Oklahoma. Atje, u përqendrua në ekologjinë e “The Great Plains”, (shqip: Fushave të Mëdha), natyrën e përkatësisë dhe se si zhvillimi i energjisë ndikon në komunitetet rurale. Tani ndodhet në Kosovë përmes grantit Fulbright dhe është ish praktikante redaktoriale në K2.0.
Ky artikull fillimisht është shkruar në anglisht.