
Shkrepje nga jetesa në izolim e disa transgjinoreve në Tiranë.
Pak ditë pasi Shqipëria regjistroi rastet e para me COVID-19, Klea, ashtu si shumë qytetarë të tjerë, u zgjua me pamundësinë për ta vazhduar rutinën ditore meqë lëvizjet ishin kufizuar nga qeveria si masë mbrojtëse kundër përhapjes së koronavirusit. Ajo e gjeti veten të izoluar, në vështirësi ekonomike, pa mbështetjen e familjes dhe me ngarkesë të madhe psikologjike lidhur me të ardhmen.
Pandemia e ka ngujuar në një shtëpi me qira ditore, të cilën e ndan me pesë persona të tjerë. Ndalimi i detyruar i shumicës së aktiviteteve ekonomike e ka vënë përballë faturave dhe borxheve në rritje. Mes tymit të cigareve në mbarim, me shqetësim diskuton me bashkëbanueset për të ardhmen që i pret pas ndërprerjes së jetesës së mëparshme, përmes së cilës siguronin joformalisht të ardhura.


Detyrimi për t’u karantinuar ia kujton Kleas kufizimin e lirisë personale, të cilin e ka vuajtur prej shumë vitesh për shkak të paragjykimeve dhe dhunës nga shoqëria. Vetëm vitet e fundit, komuniteti transgjinor në Shqipëri ka fituar dukshmëri mediale dhe mbrojtje shtetërore në trajtë të një strehe për pjesëtarët e komunitetit të prekur nga abuzimi dhe dhuna. Megjithatë, këto përparime janë mjaft të brishta për t’i shpallur si fitore të komunitetit LGBTQ+.



Sikurse shumëkush, që prej shpërthimit të pandemisë Klea i kalon orët e gjata brenda mes qëndrimit të tejzgjatur në telefon, punëve të shtëpisë, gatimit, ushtrimit të makijazhit dhe bisedave me bashkëbanueset.
Me liri mjaft të kufizuar daljeje (në kohën kur u bënë fotografitë, një person mund të dilte një herë në dy ditë për të blerë ushqime dhe barna) Klea ka ngecur në periudhën më pak të pëlqyer të përditshmërisë — atë të orëve të ditës, kur i duhet të përballet me shoqërinë dhe “detyrimet” gjinore, të vishet si burrë për të dalë nga shtëpia, të trashë zërin dhe të sillet “sa më burrërisht”.
Eliminimi total i jetës së natës— koha e lirisë, kur Klea mund të shndërrohet në “Hirushe” të festave dhe të ndihet plotësisht vetvetja nën linjat e fustaneve të gjata, takave të larta dhe makijazhit të kujdesur — e ka kthyer pas në kohën kur për t ’u mbrojtur dhe për të qëndruar gjallë i duhej ta ndalonte këtë fluiditet e metamorfozë të natyrshme të vetvetes.



Komuniteti transgjinor në Shqipëri përbën një nga hallkat më të dobëta të zinxhirit delikat të të drejtave të komunitetit LGBTQ+ në vend. Përpos diskriminimit të vazhdueshëm, transgjinorët kanë qenë shpesh në qendër të rasteve të dhunës fizike për shkak të homofobisë.
Për më tepër, shpesh i kanë rrethanat e rënduara edhe në aspektin ekonomik — shkalla a papunësisë në Shqipëri është rreth 12%, e për të rinjtë dyfish aq. Ndërsa shumë të rinj shqiptarë përballen me mungesë të mundësive për punësim, për të rinjtë LGBTQ+ në tregun formal të punës paraqet sfidë edhe diskriminimi me bazë në orientim seksual dhe identitet gjinor.
Shumë pjesëtarë të këtij komuniteti mbështeten në mënyra joformale të sigurimit të jetesës, të cilat pandemia i ndaloi plotësisht, duke ua lënë atyre faturat pa paguar, por edhe në pamundësi ekonomike për të ndihmuar sadopak familjet.
Duke parë rrugët e zbrazura nga ballkoni i shtëpisë, Kleas i mbetet veçse të shpresojë për kohën më të afërt kur do të dëgjojë takat e veta tek ecën natën nëpër ato rrugë.



